AKTUALITET, 17 Korrik 2020, 15:07

Banorët lajmërojnë Policinë për atë që po ndodhte në një lokal, kur shkojnë uniformat blu zbulohet…


Një raportim i banorëve të zonës në Komisariatin Dixhital për atë që po ndodhte në një lokal në Rrugën e Vilave ka çuar në pranga një person dhe ka proceduar penalisht disa të tjerë.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. L., 34 vjeç, si edhe u referuan materialet për shtetasit D. H., A. L., B. V., E. GJ., E. C dhe A. Y.

Kjo, sepse pas një raportimi në Komisariatin Dixhital se në Rrugën e Vilave, në lokalin në pronësi të shtetasit B. L., shitej lëndë narkotike e llojit kokainë dhe cannabis sativa, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll dhe kanë konstatuar në lokal shtetasit e lartpërmendur.

Gjatë kontrollit fizik dhe të ambientit përreth janë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. L., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, u proceduan penalisht, për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” shtetasit D. H., A. L., B. V dhe E. GJ., ndërsa shtetasit E. C. dhe A. Y. u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.