AKTUALITET, 26 Qershor 2018, 22:37

Shitblerja e energjisë elektrike, KESH i shkaktoi shtetit 9 milionë euro humbje

Shitblerja e energjisë elektrike, KESH i shkaktoi shtetit 9 milionë

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nxjerrë zbuluar Koorporatën Energjetike Shqiptare për shit-blerjen e energjisë. Në një vend ku qytetarët arrestohen për vjedhje energjie elektrike që kushton deri në 20, 30, apo 50 mijë lekë të vjetra, një institucion ia lejon vetes që t'i shkaktojë shtetit një dëm mbi 9 milionë euro.

Sipas raportit, një kopje të së cilit disponon Tpz.al, marrëveshja me Shoqërinë “OST”, për shërbimet ndihmëse dhe të balancimit të sistemit elektroenergjetik ka dëmtuar buxhetin e Shoqërisë "KESH" SHA dhe Buxhetin e Shtetit në vlerën 1,204,546,019 lekë ose 9,029,580 euro.

"Bilanci energjik i Shoqërisë “KESH” SHA për vitin 2016 dhe 2017, është i pa rakorduar me transaksionet financiare energjetike. Në opinionin tonë mos mbyllja e bilancit energjetik (mos rakordim i transaksioneve), do të thotë se faturat e hartuara nga OST SHA, për shërbimin e balancimit nuk reflektojnë sasinë e energjisë së injektuar në kuadër të ofrimit te këtij shërbimi" thotë KLSH.

Sipas saj, në mungesë të mos mbylljes së bilancit energjetik për vitin 2016 dhe 2017 nga Shoqëria "KESH" SHA, si rrjedhojë e veprimeve dhe mos veprimeve të OST, ERE, MEI, grupi i auditimit nuk ka qenë në gjendje të sigurojë të dhëna auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi për shkak të pasigurisë të shifrave dhe të kufizimit.

Shkak i kësaj situate, sipas KLSH-së, është që ERE, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka krijuar problematikë serioze në zbatim të Ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe VKM “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik”, duke dëmtuar në këtë mënyrë interesat e ligjshme të shoqërisë “KESH” SHA.

KLSH rekomandon që administratori i shoqërisë të prezantojë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë mos rakordimi i bilancit për transaksionet financiare energjetike për vitin 2016 dhe 2017 respektivisht në sasinë 87,704 MWh dhe 189,626 MWh, si dhe efekteve që ndonjë korrigjim i mundshëm mund të ketë sjellë në mbylljen/ose jo të pasqyrave financiare të konsoliduara të vitit 2016 dhe të pritshmit 2017, duke i kërkuar të merren masa të menjëhershme për ngritjen e një Grupi teknik me specialistë të fushës.

Ky grup teknik duhet të kryejë ekzaminimet teknike duke respektuar kërkesën e materialitetit dhe të paraqitjes së sinqertë dhe të vërtetë të transaksioneve energjitike në shoqëritë OSHEE, OST dhe KESH, me synim rakordimin e bilancit për transaksionet financiare energjetike për vitin 2016 dhe 2017./TPZ.AL/

KLIKO këtu për të lexuar raportin e plotë të KLSH-së