AKTUALITET, 26 Qershor 2018, 19:17

Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në shtyhet për në vitin 2019

Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në do të shtyhet për vitin 2019. Shqipëria nuk i ka bindur shtetet skeptike, për shkak të korrupsionit të lartë dhe mungesës së reformave . Përpjekjet e kryeministrit Rama për t'ju mbushur mendjen liderëve europian në ditët e fundit, kanë rezultuar donkishoteske.

Rrugëtimi drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019 është i qartë. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkruan Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn. Gjatë ditëve të fundit, në Bruksel ka patur tentativa për të gjetur një mënyrë sa më të "ëmbël" për ti thënë JO Shqipërisë. Me sa duket shtyrja e negociatave për në vitin 2019, reflekton këtë përpjekje.

Shtyrja e hapjes së negociatave, është një shuplakë për qeverinë e kryeministrit Rama, i cili bëri çmos për ta shitur rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, si një arritje historike të Shqipërisë, edhe pse një gjë e tillë kishte ndodhur më parë.

REAGIMI I MINISTRIT PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME, DITMIR BUSHATI 

Bashkimi Europian ka vendosur shtyrjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë për në vitin 2019. Ky lajm i keq për shqiptarët, po përcillet nga qeveveria si një ngjarje pozitive. Ministri Bushati në konferencën për shtyp tha se Shqipëria ka bërë progres impresionues, por negociatat do të nisin në qershor të vitit 2019. Nuk dihet përse ky progres kaq impresionues për të cilin flet ministri,  nuk është parë nga vendet anëtare të BE-së, të cilat në vend që të hapnin negociatat,  e kanë shtyrë me një vit pritjen e shqiptarëve.

“Kursi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria nga momenti që mori statusin e vendit kandidat është impresionues, por që duhet të thellohet edhe më tej në muajt në vijim”, deklaroi Bushati.

Ministri u përpoq në konferencën për shtyp të krijojë një paralele mes rastit të Shqipërisë dhe Serbisë dhe Malit të Zi.

“Është përcaktuar një afat kohor, qershori i vitit 2019 për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Edhe në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi është përcaktuar një afat kohor”. 

REAGIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA 

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas vendimit të BE-së për shtyrjen e negociatave me Shqipërinë për në vitin 2019. Fillimishit Rama nxorri në konferencë shtypi ministrin e jashtëm, Ditmir Bushati, për të thënë se Shqipëria ka arritje të mëdha prandaj negociatat do të hapen në vitin 2019. Më pas ai ka reaguar në rrjetet sociale me një status,  ku thotë se Shqipëria “ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar”.

“Pas 72orësh mes dallgëve të brendshme të BE Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin. Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon”

Kryeministrit duket se i mungon entuziazimi i një muaji më parë, kur doli në konferencë shtypi për të deklaruar fitoren historike, për rekomanidmin pozitiv të Komisionit Europian. Në vend të mburrjeve dhe shpalljes së suksesit, kryeministri  është mjaftuar me një status në rrjetet sociale. Përpjekjet e tij donkishoteske për ti mbushur mendjen liderëve europianë në ditët e fundit, kanë dështuar, duke i dhënë një mësim të vyer se spektakli dhe propaganda nuk mund të mbulojnë korrupsionin, drogën dhe dështimin e reformave.

/TPZ.AL/