AKTUALITET, 22 Mars 2018, 17:54

Shi, borë, erë e fortë, ja deri kur do vazhdojnë tërbimi i motit

Shi, borë, erë e fortë, ja deri kur do vazhdojnë

Moti i keq dhe reshjet e dëborës që kanë nisur në veri të vendit do të pasohen me temperaturat e ulëta edhe ditën e nesërme.

Reshjet e dëborës po bien edhe në zonat e banuara, por problemi më i madh është era e fortë në rrugë.

Situata paraqitet e ngjashme në Rrugën e Kombit, në aksin nga Kukësi në Dibër dhe nga Kukësi në Tropojë.

Sipas sinoptikanes Tanja Porja kapriçot e motit do të vazhdojnë edhe disa ditë. Sipas saj temperaturat do të fillojnë të rriten ditën e hënë, por nuk do të ketë ditë me diell.

Porja tregoi për News24 se reshjet do të vijojnë në të gjithë territorin, jo në masë të madhe por të vazhdueshme.

"Dita e nesërme do të jetë e ftohtë. Do të ketë reshje të konsiderueshme. Dëborë do të bjerë deri në 20-30 cm, është një lajm i mirë sepse sasia e reshjeve që parashikohet deri të martën është e pakët. Shpejtësia e erës do të jetë 50-60 km/h. Pritet që sot të ketë një stuhi detare, po krijohet një ciklon në kanalin e Otrantos, shumë pranë gadishullit të Karaburunit. Në det të hapur, parashikohet që shpejtësia e erës të jetë 70-80 km në orë por do ketë momente edhe me 100 km në orë.

Këto temperatura të ulëta dhe këto reshje të dëborës i kemi parashikuar që në datat 8-9 mars. Presim një rritje të temperaturave, të dielën, të hënë dhe të martën. Megjithëse nuk presim ditë shumë të ngrohta, tipike të pranverës deri në datat 2-3 prill. Reshjet do të jenë prezente. Në momente të caktuara reshjet do të jenë deri në mesatare. Në pjesën e dytë të ditës do ketë intensifikim të reshjeve. Në fundjavë reshje të dobëta dhe të përkohshme, do kemi edhe kthjellime të përkohshme”, tha Porja.