AKTUALITET, 14 Gusht 2018, 13:39

TRAGJEDIA/ Shembja e urës në Genoa në Itali, dhjetra viktima, mes tyre edhe fëmijë

Të paktën 39 të vdekur, midis tyre edhe dy shqiptarë, si dhe 13 të plagosur rëndë, pesë prej tyre rëndë. 10 persona raportohen të zhdukur. Numri i viktimave mund të rritet me kalimin e orëve. Ky është bilanci paraprak i viktimave pas shembjes së urës në Genoa të Italisë,  shkruan gazeta e madhe italiane “Corriere della Sera”. Nga shembja e urës raportohet se kanë rënë edhe rreth 20 autovetura. 4 persona janë nxjerrë të gjallë, ndërsa janë dhjetëra të plagosur.

Në momentin e shembjes, disa automjete ishin mbi këtë urë. Gjithashtu, zona ku është shembur ura është mjaft e populluar.

Ministri i transportit italian, Danilo Toninelli, u shpreh se kemi të bëjmë me "një tragjedi të madhe".

Fotografitë nga vendi i ngjarjes, tregojnë se si është shembur ura, ku tashmë gjenden gërmadha. Në momentin e shembjes, nga kjo urë kanë rënë disa makina dhe kamionë.

Historia, ura e inauguruar në 1967

Ura është ndërtuar midis viteve 1963 dhe 1967 nga kompania “Società Italiana per Condotte d’Acqua”. Ura është inauguruar, më 4 shtator 1967. Ka një gjatësi prej 1.182 metra dhe ka pasur shumë kritika për të gjatë viteve.

Për momentin po kryheshin punime mirëmbajtje. Ura që zyrtarisht ka emrin “Polcevera” në realitet njihej si ura “Morandi”, për nder të projektuesit të saj, inxhinierit Rikardo Morandi.

“Corriere della Sera” shkruan se shkaku i tragjedisë mund të jetë një problem strukture, të urës në rrugën “Walter Fillak”, në zonën e Sampierdarena.

Dhjetëra telefonata kanë mbërritur në policinë italiane, ndërsa fotot janë postuar në “Facebook”.

Dyshohet se ajo që ka shkaktuar shembjen e urës mund të ketë qenë një kolaps strukturor, që ka ndodhur në pjesën që kalon mbi rrugën “Walter Fillak” në zonën e Sampierdarena.

Të dyja karrexhatat kanë rënë në tokë për rreth njëqind metra. Në autostradën A10 Genova-Savona është mbyllur kryqëzimi midis A7 Milano-Genova dhe Genova Aereoport në të dy drejtimet.

Më 6 gusht një autocisternë me lëndë djegëse shpërtheu në zonën Borgo Panigale, në Bolonja duke lënë të vdekur një person dhe plagosur 67 të tjerë. Si pasoje e shpërthimit një pjesë e urës së Bolonjës u rrëzua.

Jehona në mediet ndërkombëtare

/TPZ.AL/