AKTUALITET, 14 Gusht 2018, 11:13

Gent Shkullaku, fotoreporteri që çoi Bizën dhe Durrësin në CNN

Mediet më të mëdha ndërkombëtare, nga CNN te Financial Times, kanë publikuar foto të Shqipërisë turistike, këtë verë, duke sjellë një shërbim të paçmuar imazhi për vendin tonë dhe turizmin shqiptar në hapat e parë.

Të gjithë paratë për reklame ne CNN në kohën e Berishës, apo ato hedhur për një konkurs ndërkombëtar në kohën e Rama 1, që prodhoi një slogan pa vlerë, janë asgjë, krahasuar me ndikimin e këtyre fotove, në promovimin e turizmit shqiptar.

Tani të gjithë e dinë se emri pas këtyre fotove është Gent Shkullaku, por jo të gjithë e njihni Gentin.

Po, po është vëllai i Armand Shkullakut, për botën tonë të vogël brenda unazës.

Për atë përtej, jashtë, atë botën e madhe dhe globale të medias ndërkombëtare ai është fotoreporteri më i kërkuar shqiptar.

Është emri pas fotove të ditës, kur bota zgjedh fotot më mira.

E nisi në 96, tregoi Shqipërinë e ’97 për “Koha Jone”. Dhe ne 2003 nisi të punoje për franceze të lajmeve “Agence France Presse”

AFP është  një agjenci ndërkombëtare lajmesh që ka korrespondentët e saj në pjesën më të madhe të vendeve, në botë. Gent Shkullaku bashkë me gazetaren Briseida Mema, mbulojnë për AFP-në ngjarjet më të rëndësishme nga Shqipëria. Fotot që ai dërgon, futen në shërbimin online të fotove që AFP ka, nga ku i marrin dhe përdorin të gjitha mediet e rëndësishmet botës.

INTERVISTË ME GENT SHKULLAKUN

Dritare.net: Si funksionon, Agjencia porosit foto, apo tema e vendi është zgjedhja juaj?

Gent Shkullaku: Për ngjarje të rëndësishme si p.sh. zgjedhjet politike, një ndeshje e Kombëtares, Eklipsi i Hënës apo vizita e një personaliteti të rëndësishëm botëror, AFP-ja porosit për foto dhe shkrim. Në disa raste, është gazetarja Briseida Mema që propozon tema, të cilat kanë interes ndërkombëtar dhe pasi marrin “OK” nga Parisi, ne i realizojmë ato me tekst, foto dhe prej disa muajsh edhe me video.

Në raste te tjera, propozoj unë foto. Dihet qe një foto e mire flet me shume se disa artikuj sebashku.

 

Dritare.net: Si u realizua fotoja e Bizës, po Durrësi, që i morrën mediet më prestigjioze në botë, si FT, CNN etj?

Gent Shkullaku: Në Bizë unë isha për kamping me femijet dhe disa miq, natyrisht edhe me aparatin me vete, kur pashë ato pamje që të linin pa fjalë. Peisazhi ishte fantastik, sidomos gjatë natës.

Yjet dukeshin aq afër, saqë dukej sikur mund t’i kapje me dorë. Disa nga fotot që bëra vendosa t’i nis për AFP-në,  duke promovuar me këtë rast edhe turizmin në një vend thuajse të panjohur edhe nga ne (gjithmonë me pak frikë se mos destinacioni mbipopullohet ).

Një nga fotot u përzgjodh tek më të mirat e ditës nga e gjithë bota, e më pas u përdor nga shumë media.

Image result for bize gent shkullaku

Fotot në plazhin e Durrësit, u realizuan si foto ilustruese për temperaturat e larta. Duke qene se vala e të nxehtit ka pushtuar Europen duhej ilustruar me imazhe të ndryshme nga gjitha vendet. Në këtë rast mendova të shkoj në Durrës e të përdor dronin, duke e patur të qartë në mendje se çfarë do të fotografoja. Fotografimi me dron hap një prespektive të re per fotografinë duke e parë subjektin nga një kënd tjeter. Megjithate idetë duhet t’i kesh të qarta që përpara se ta ngresh dronin.

Edhe një nga fotot e Durrësit u perzgjodh tek më të mirat e ditës në bote dhe më pas, tek përzgjedhja e fotove të javës në AFP. Edhe keto foto u përdorën në shumë media ndërkombëtare.

 

 Dritare.net: Agjencia LSA a është puna juaj kryesore, megjithëse tani jeni ndërkombëtarisht i njohur?

Gent Shkullaku: Përveç punës për AFP-në, që prej vitit 2000 drejtoj dhe agjencinë fotografike të lajmeve, Light Studio Agency (LSA). LSA-ja është bërë prej kohësh furnizuesi kryesor me fotot e lajmit për mediat në Shqipëri. Që prej krijimit të saj, LSA-ja zë pjesën kryesore të impenjimeve të mia. E hapur online në vitin 2004, në arkivën e saj momentalisht janë rreth 270 mijë foto.

Image result for Light Studio Agency

 

Dritare.net: Sa vjet po bën dhe si e nisët  me fotografinë?

Gent Shkullaku:  Kam filluar të fotografoj në vitin 1996. Më pëlqente fotografia dhe më dukej mënyra më e mirë për të përcjellë një lajm tek publiku pa shumë fjalë e komente. Me ndihmën e profesorit tim Armando Babani, mësova gjërat bazë të teknikave të fotografisë, por edhe se çfarë duhet të ketë një foto e mirë që mediat do të donin ta kishin. Më pas ngjarjet që pasuan në vitet ’97, ’98 – ’99, ishin lajm i parë thuajse në gjithë mediat e rëndësishme ndërkombëtare si dhe një shkollë e vërtetë për të gjithë ne.

Dritare.net: Tani qe një celular dhe të gjithë janë bërë fotografë në Instagram, çfarë duhet të kërkojë një profesionist?

Gent Shkullaku: Normalisht që përparimi i teknologjisë ka afruar dhe shumë më tepër njerëz me fotografinë. Mendoj që kjo është një gjë mjaft e mirë, sepse shumë ngjarje, fenomene apo peisazhe që më parë nuk do të ishte e mundur që të shiheshin, tani publikohen në mediat sociale nga njerëz të ndryshëm të apasionuar pas fotos. Kjo e bën pak më të vështirë që të dalë në pah puna e fotografëve profesionistë, por gjithesesi mendoj se këndet dhe teknikat e fotografisë janë pafund. Do ta krahasoja me muzikën që gjithmonë ka mundësi për melodi të reja. Amator apo profesionist, mjafton ta duash atë që bën, në këtë rast fotografinë dhe rezultatet do të duken herët a vonë.

 

Dritare.net: Shqipëria ofron vende të panjohura apo tani i dimë të gjitha, saje jush, tani?

Gent Shkullaku:  Është për t’u habitur, por një vend kaq i vogël sa ne, ka kaq shumë vende për të vizituar dhe sigurisht për të zbuluar. Unë që nga viti ’96, për arsye pune, kam lëvizur në pothuaj të gjithë Shqipërinë dhe ende ka vende qe nuk i kam parë. I tillë ishte edhe rasti i Bizës, ku kisha qenë me parë për të fotografuar disa stërvitje ushtarake, por nuk e kisha vizituar të gjithë zonën. Natyra ishte fantastike dhe si në të gjitha vendet ku njeriu nuk ka vënë dorë, pamja ishte mbresëlënëse.

Dritare.net Ministri i turizmit dhe Kryeministri Rama mburren me fotot tuaja në median ndërkombëtare, por a ju kanë falënderuar dhe uruar?

Gent Shkullaku: Unë nuk pres falenderime për fotot e mia, se tek e fundit unë bëj thjesht punën time.

Është kënaqësi për mua që ndonjë apo disa nga punët e mia, të ndihmojnë sadopak në promovimin e vendit tim. Gjithsesi, mendoj që si Ministria e Turizmit apo KM Rama, duhet të citojnë burimin e fotos, që në këtë rast është AFP-ja dhe une si fotograf, ashtu siç bënë të gjitha mediat ndërkombëtare që i përdorën. Gjithashtu përdorimi i një diçiture që une kisha vënë në foton e cila u perdor në Instagramin e gazetës Financial Times (foto nga Biza), nuk mund të quhet një shkrim i bërë nga FT për bumin e turizmit në Shqiperi.

Edhe në rastin e fotos së përdorur në Instagram nga CNN, media të ndryshme në Tiranë e kanë pasqyruar sikur “CNN i ka kushtuar një shkrim sezonit të plazhit në Durrës”, ndërkohe që është thjesht një foto me diçiturën përkatëse që atyre u ka pëlqyer dhe e kanë përdorur.

 

 

 Dritare.net: Cili është ndryshimi mes punës lokale dhe asaj ndërkombëtare?

Gent Shkullaku: Të them të drejtën unë fotografoj njëlloj në çdo rast, pavarësisht se për kë po i bëj fotot.

Ndryshimi është që nëse për mediat lokale duhet të mbulojmë çdo ngjarje apo event, mediat ndërkombëtare kanë interes vetëm për gjëra shumë të rëndësishme që ndodhin këtu.

Do thoja gjithashtu që përdorimi i fotos në mediat lokale është pak i varfër si dhe ne mbi 90% të rasteve burimi nuk citohet (agjencia apo emri i fotografit). Mungojnë editorët e mirëfilltë të fotografisë. Nëse çon një foto të mirë në AFP, ata e klasifikojne tek më të mirat e ditës dhe më pas ajo përdoret nga shumë media nderkombetare, ndërsa në mediat tona pothuajse të njëjtat foto nuk përdoren fare ose zënë shumë pak vend. Në përfundim, është dhe pjesa e kënaqësisë profesionale kur shikon një foto tënden në mediat më të mëdha ndërkombëtare.

 Dritare.net: Bëni dot pa fotografinë?

Gent Shkullaku: Është kthyer shpesh edhe në debat familjar, por unë dhe kur jam me pushime nuk ndahem dot nga fotografia. Ka patur raste kur kam lënë familjen në hotel dhe kam shkuar të fotografoj. I tillë ishte dhe rasti i zjarreve vitin që shkoi në Muzinë, kur unë ndodhesha në Sarandë me pushime. Fotot dolën mjaft mirë dhe u përdoren nga media të rëndësishme si revista Time apo CNN.

Nuk e mendoj dot veten të shkëputur nga fotografia./dritare.net