BOTA, 22 Janar 2018, 14:55

SHBA, java nis me qeverinë e "mbyllur"

SHBA, java nis me qeverinë e "mbyllur"

Qindra mijëra punëtorë federalë nuk do të jenë në gjendje të raportojnë për punë ditën e hënë, pasi Senati i Shteteve të Bashkuara lufton për t’i dhënë fund një mbylljeje të qeverisë.

Disa nuk do të paguhen derisa të zgjidhet ngërçi.

Qeveria federale amerikane ndodhet në ditën e tretë të “mbylljes” së pjesshme si pasojë e përfundimit me 19 janar të afatit të fundit shtesë për buxhetin si dhe si rezultat i mos miratimit të një buxheti të ri nga Kongresi.

Miliona punonjës kanë mbetur të detyruar që ose të punojnë pa pagesë deri në fund të krizës, ose të largohen duke marrë lejet e detyrueshme.

Një sesion i rrallë i mbajtur të dielën i Senatit nuk dha asnjë marrëveshje midis demokratëve dhe republikanëve, me emigracionin si një nga pikat kryesore të fërkimit.

Shërbimet thelbësore do të vazhdojnë të funksionojnë, por vendet e famshme si Statuja e Lirisë tashmë janë prekur.

Monumenti u mbyll të dielën, por guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, tha se do të futet në fonde shtetërore për të paguar faturën e punësimit të përditshëm dhe për të rihapur vendin turistik popullor.