AKTUALITET, 27 Gusht 2021, 11:53

Sekuestrohet mbi 1 ton kokainë në Podgoricë, Dritan Abazoviç: Mali i Zi nuk do të jetë vend i krimit

Sekuestrohet mbi 1 ton kokainë në Podgoricë, Dritan

Policia e Malit të Zi ka sekuestruar sot mbi një ton kokainë, sasia më të madhe të drogës të zënë ndonjëherë në këtë shtet.

Droga ishte fshehur në një dërgesë me banane. Policia po ashtu tha se ka arrestuar dy persona.

Bastisja u krye në Mojanoviqi, një lagje në periferi të kryeqytetit Podgorica.

“Ne po bëjmë atë që kemi premtuar: Mali i Zi nuk do të jetë vend i krimit”, shkroi në Twitter zëvendëskryeministri i këtij vendi, Dritan Abazoviç.

Mali i Zi është vend anëtar i NATO-s dhe ka hapur po ashtu negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, përpara se t’i bashkohet BE-së, ai e ka për detyrë të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin.