AKTUALITET, 27 Dhjetor 2017, 22:55

Ruçi: Dy prilli? Nuk do të doja t’u lija fëmijëve të mi hijen e një vrasësi

Ruçi: Dy prilli? Nuk do të doja t’u lija fëmijëve

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ftuar në “Top Story” në “Top Channel”, foli edhe për ngjarjen e shumëpërfolur të dy prillit 1991 në Shkodër, ku humbën jetën katër anëtarë të Partisë Demokratike, midis tyre Arben Broci.

“Nuk do të doja të isha ministër i Brendshëm në atë kohë. Nga kundërshtarët e mi më trajtojnë sikur jam krijuesi i Ministrisë së Brendshëm, apo më quajnë ministri i fundit i Brendshëm i Diktaturës. Themelimi i Partisë Demokratike është në 12 dhjetor 1990, ndërsa qeveria komuniste ra më 20 shkurt. Pas kësaj u krijua qeveria e Fatos Nanos, ku ka qenë ministër i Brendshëm Gramoz Ruçi. Të gjithë të dënuarit politikë janë liruar në mars të vitit 1991 dhe të gjithë kanë firmën e Gramoz Ruçit. Edhe pse kanë qenë kundërshtarët e mi, kam nostalgji për grupin e parë të Partisë Demokratike, një grup ekselent.

Në lidhje me dy prillin, unë nuk doja t'u lija hijen një vrasësi  fëmijëve të mi, forcës politike që u përkas. Kam qenë dy gjyqe në lidhje me dy prillin dhe në Shkodër kam vajtur vetëm. U jam mirënjohës shkodranëve. Ku i kam shokët më i mirë? I kam në Shkodër. Kam qenë deputet në Sarandë, jam në Fier ku kam shumë shokë. Do të doja ta mbyllja karrierën time politike si deputet në zonën e Veriut.