TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
I hapet rruga policisë të përdor mbikëqyrjen ndaj çdo qytetari të dyshuar pa marrë leje paraprake nga Prokuroria. Në Komisionin e Sigurisë u rrëzua sot dekreti i Presidentit Ilir Meta për Policinë e Shtetit. Deputetët kanë votuar kundër duke rrëzuar argumentet e Metës.
Presidenti Ilir Meta njoftoi mesditën e së martës se vendosi të kthejë për rishqyrtim ndryshimet që iu bënë së fundmi ligjit për policinë. Sipas Presidentit ndryshimet ligjore bien në kundërshtim me pavarësinë e garantuar nga Kushtetuta të strukturave të drejtësisë. Ndër argumentet kryesorë ligjorë që rendit kreu i shtetit në dekretin e tij është se nëpërmjet këtij ligji krijohet shteg për gjurmimin dhe survejimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Ajo që bie në sy, është fakti se, referuar Raportit të Komisionit të Ligjeve, nisma e parë nga Këshilli i Ministrave është depozituar në Kuvend që në datën 6 shkurt 2020. Ndërsa 22 shtator 2020 është futur një propozim i deputetit Alket Hyseni që lidhet ekskluzivisht me shtimin e një paragrafi që përcakton rolin e Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor.
Kjo nismë është shqyrtuar përfundimisht nga Kuvendi në muajin tetor, mbi 8 muaj pas depozitimit të nismës nga Këshilli i Ministrave. Ndryshimet sipas propozimit të Hysenit përveç “mundësive ligjore shtesë policisë për të përdorur masa të veçanta në luftën kundër krimit të organizuar”, u përfshi edhe një paragraf që flet për rolin e policisë në zgjedhje. Meta thotë se me ndryshimet ligjore shkelen parimet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe rrezikon ta kthejë policinë në një organ që “gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal konform organeve të drejtësisë”.
Sipas Metës, ligji për Policinë e Shtetit i propozuar nga mazhoranca krijon shteg për gjurmimin dhe survejimin e qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Në mbledhjen e sotme të Komisionit ka marrë pjesë dhe këshilltari i Metës, Bledi Dervishaj, i cili ka pasqyruar dhe njëherë gjithë pretendimet e kreut të shtetit.
Gjithashtu, në arsyet për kthimin në Kuvend të ligjit, Meta liston se ai:
1- Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2- Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me garancitë për ruajtjen e privatësisë;
3- Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;
4- Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës.
Kundër socialistëve dhe në mbështetje të këshilltarit të Metës ka dalë deputeti Myslim Murrizi, i cili ka thënë se afërsia me datën e zgjedhjeve bën që këto propozime të mazhorancës të kompromentohen.
Me votimin e sotëm, propozimi i socialistëve do t’i kalojë Komisionit të Ligjeve e më pas për rivotim në Kuvend.
/TPZ.al/