AKTUALITET, 14 July 2026, 16:37

Rrezikuan sigurinë e pushuesve me gomone pranë bregut, gjobiten dy drejtues dhe bllokohen mjetet lundruese në plazhet e jugut

Policia Kufitare ka ndëshkuar me gjoba të rënda dy drejtues gomonesh që lundruan në afërsi të bregut, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve në zonat bregdetare të Potamit dhe “Plazhit të Hidrovorit” në qarkun e Vlorës.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Vlorë reaguan menjëherë pas denoncimit të qytetarëve për një gomone që po lundronte pranë bregut në plazhin e Potamit. Pas kërkimeve, mjeti u lokalizua në plazhin e Drimadhes, ku u bllokua nga policia.

Drejtuesi i gomones, shtetasi me iniciale H. L., u ndëshkua me 500 mijë lekë gjobë për shkeljen e rregullave të sigurisë detare. Ndërkohë, gjatë patrullimeve përgjatë vijës bregdetare, efektivët konstatuan një tjetër gomone që po lëvizte shumë pranë bregut në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”. Mjeti u ndalua dhe u bllokua, ndërsa drejtuesi, shtetasi E. Sh., u gjobit me 510 mijë lekë.

Nga verifikimet rezultoi se ai nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm të parashikuar nga ligji.

Policia Kufitare bën me dije se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë detare gjatë sezonit turistik. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve, pushuesve dhe vizitorëve që të denoncojnë çdo shkelje që cenon sigurinë në det, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe zbatim të ligjit.