AKTUALITET, 14 July 2026, 15:28

Apeli zbut masën për një nga rojet e dhunës në Zvërnec, pronari i kompanisë security lihet në qeli

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për një nga rojet private të arrestuara pas dhunës ndaj protestuesve në Zvërnec më 29 maj.

Për Gazmend Vathin, i cili ishte lënë në burg nga Gjykata e Vlorës, Apeli vendosi masën “arrest në shtëpi”. Ndërsa për rojen tjetër, Artur Grani, u la në fuqi masa “arrest në burg”.

Në burg do të qëndrojë edhe pronari i kompanisë “Major Security”, Geraldo Biba. Apeli rrëzoi kërkesën e tij për zbutjen e masës së sigurisë.

Sipas hetimeve, tre të dyshuarit akuzohen se ushtruan dhunë ndaj një protestuesi gjatë tubimit kundër projektit në Zvërnec, duke e goditur dhe tërhequr zvarrë. Ngjarja ndodhi në prani të efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët, sipas hetimeve, nuk ndërhynë për të ndaluar dhunën.