AKTUALITET, 14 July 2026, 14:26

Partia e Lirisë: Bujqësia në krizë të thellë, qeveria ka dështuar të mbrojë fermerët!

Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, ka akuzuar qeverinë për dështim në mbështetjen e sektorit të bujqësisë, duke deklaruar se fermerët shqiptarë po përballen me një nga krizat më të rënda të viteve të fundit, ndërsa konsumatorët vazhdojnë të paguajnë çmime gjithnjë e më të larta për produktet ushqimore. Në një deklaratë për mediat, Bajrami tha se, në kulmin e sezonit të prodhimit vendas, fermerët detyrohen ta shesin prodhimin nën kosto ose nuk arrijnë ta shesin fare, ndërsa çmimet në treg vijojnë të rriten.

Sipas saj, rritja e kostove të plehrave kimike, farërave, pesticideve, karburantit dhe energjisë, mungesa e fuqisë punëtore, emigracioni, si edhe mungesa e subvencioneve konkurruese, kanë rënduar ndjeshëm situatën në bujqësi. Ajo theksoi se fermat e vogla janë më të goditurat, ndërsa prodhimi po përqendrohet në duart e gjithnjë e më pak operatorëve. Bajrami ngriti shqetësimin edhe për rritjen e importeve, duke theksuar se prodhuesit vendas po humbasin terren përballë produkteve të huaja. Sipas saj, kjo situatë dëmton njëkohësisht fermerët, të cilët nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme dhe konsumatorët, që përballen me çmime të larta.

 Në deklaratën e saj, përfaqësuesja e Partisë së Lirisë u ndal edhe te pezullimi i fondeve IPARD për Shqipërinë, duke e cilësuar atë një goditje të rëndë për zhvillimin e bujqësisë dhe investimet në zonat rurale. Sipas saj, kjo ka dëmtuar besimin në menaxhimin e fondeve publike dhe ka ngadalësuar modernizimin e sektorit.

Bajrami ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë ushqimore, duke kërkuar më shumë transparencë mbi kontrollet e produkteve ushqimore, kapacitetet laboratorike dhe funksionimin e sistemit të gjurmueshmërisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Partia e Lirisë i bëri thirrje qeverisë të hartojë një plan kombëtar emergjent për bujqësinë shqiptare, që të përfshijë rritjen e subvencioneve, uljen e kostove të prodhimit, investime në sistemin e ujitjes dhe laboratorët e sigurisë ushqimore.

Në përfundim, Bajrami theksoi se Shqipëria nuk mund të ketë siguri ushqimore dhe bujqësi konkurruese pa mbështetje reale për fermerët, duke akuzuar qeverinë se ka braktisur prodhimin vendas dhe nuk po mbron interesat e familjeve shqiptare përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

Deklarata e Kryetares Bajrami:

Përshëndetje!

Në kulmin e sezonit të prodhimit vendas, kur tregjet duhet të ishin të mbushura me fruta dhe perime shqiptare me çmime të përballueshme, qytetarët po përballen me një realitet absurd: çmimet vazhdojnë të rriten, ndërsa fermerët ankohen se prodhimin nuk e shesin dot ose detyrohen ta shesin nën kosto.

Ky paradoks nuk është pasojë e tregut të lirë. Është pasojë e dështimit të politikave qeveritare.

Sot bujqësia shqiptare ndodhet në krizën më të rëndë të viteve të fundit. Kostot e plehrave kimike, farërave, pesticideve, karburantit dhe energjisë kanë rënduar ndjeshëm mbi fermerët. Mungesa e fuqisë punëtore në zonat rurale, emigracioni masiv, mungesa e subvencioneve konkurruese dhe vështirësitë për të përmbushur standardet e tregut po godasin veçanërisht fermat e vogla. Ekspertët paralajmërojnë se bujqësia tradicionale po tkurret, ndërsa prodhimi po përqendrohet në gjithnjë e më pak aktorë.

Ndërkohë, tregu shqiptar po mbytet nga mallrat e importit. Në vend që prodhimi vendas të ketë përparësi dhe të mbështetet me politika mbrojtëse e nxitëse, fermerët shqiptarë detyrohen të konkurrojnë me produkte të importuara që zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në treg. Si rezultat, fermeri shqiptar shet më lirë ose nuk arrin ta shesë fare prodhimin e tij, ndërsa konsumatori vazhdon të paguajë çmime gjithnjë e më të larta.

Situata është rënduar edhe më tej nga pezullimi i fondeve IPARD për Shqipërinë, një prej instrumenteve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale. Pezullimi i këtyre fondeve ka lënë pa mbështetje shumë fermerë dhe investime të domosdoshme, duke dëmtuar besimin te menaxhimi i fondeve publike dhe duke ngadalësuar modernizimin e sektorit.

Po aq alarmante është gjendja e sigurisë ushqimore.

Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ushqimet që konsumojnë kontrollohen sipas standardeve evropiane, nëse sistemi i analizave laboratorike ka kapacitetet e nevojshme dhe nëse institucionet përgjegjëse garantojnë gjurmueshmërinë dhe kontrollin efektiv të produkteve ushqimore. Çdo dobësi në këtë zinxhir cenon besimin e konsumatorëve dhe shëndetin publik.

Nuk mund të pranohet që Shqipëria të synojë integrimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që siguria ushqimore vazhdon të jetë objekt shqetësimesh të vazhdueshme, ndërsa fermerët përballen me kosto në rritje për analiza, certifikime dhe standarde që shpesh nuk mbështeten nga shteti.

Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshehë dështimin pas propagandës. Fermerët nuk kanë nevojë për fotografi e premtime, por për subvencione reale, akses në financim, ujitje funksionale, mbrojtje nga konkurrenca e pandershme, transparencë në menaxhimin e fondeve publike dhe tregje ku puna e tyre të shpërblehet me dinjitet.

Partia e Lirisë kërkon një plan kombëtar emergjent për shpëtimin e bujqësisë shqiptare, forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore, rritjen e transparencës në kontrollin e produkteve, investime në kapacitetet laboratorike, rikthimin e besimit të Bashkimit Evropian për menaxhimin e fondeve IPARD dhe politika që ulin koston e prodhimit për fermerët.

Shqipëria nuk mund të ketë siguri ushqimore pa fermerë. Nuk mund të ketë bujqësi konkurruese kur tregu dominohet nga importet, fondet e Bashkimit Evropian pezullohen për shkak të dyshimeve mbi menaxhimin e tyre dhe politikat publike dështojnë të mbrojnë prodhimin vendas. Dhe nuk mund të ketë mirëqenie për qytetarët kur qeveria ka braktisur prodhimin vendas dhe e ka lënë familjen shqiptare të përballet e vetme me rritjen e vazhdueshme të çmimeve.