TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas publikimit të videos së një momenti të rrezikshëm në rrugën Shkodër–Theth, ku një motorist nga Rumania për pak sa nuk u përplas me një furgon që kishte hyrë në korsinë e kundërt, ka reaguar Policia Rrugore e Shkodrës.
Në pamjet e publikuara më herët nga motoristi shihej se si, në një segment të ngushtë dhe me fushëpamje të kufizuar, një furgon Mercedes-Benz dhe një veturë tjetër kishin hyrë pjesërisht në korsinë e tij. Motoristi ishte detyruar të ngadalësonte menjëherë për të shmangur një përplasje të mundshme ballore.
Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore Shkodër nisën verifikimet për identifikimin e drejtuesit të furgonit.
Policia njoftoi se ka arritur të identifikojë drejtuesin, shtetasin V. B., banues në Malësi të Madhe.
Në përfundim të veprimeve, ndaj tij është vendosur masë administrative prej 6 mijë lekësh, për shkeljen e parashikuar në nenin 141, pika 10, të Kodit Rrugor.
Përveç gjobës, drejtuesit i është pezulluar leja e drejtimit për gjashtë muaj, ndërsa i janë zbritur edhe 10 pikë nga leja e drejtimit.
Rasti mori vëmendje pasi motoristi rumun kishte publikuar videon nga udhëtimi i tij drejt Thethit, duke përshkruar momentin si një situatë ku u detyrua të reagojë shpejt për të shmangur përplasjen.
Ai kishte bërë thirrje për kujdes të shtuar në rrugët malore, duke u kërkuar drejtuesve të automjeteve të qëndrojnë në korsinë e tyre.