AKTUALITET, 25 Mars 2021, 15:48

Robert Ndrenika rrëfen sukseset e Edi Ramës në spotin elektoral të PS: Teatri do të jetë më i bukur sesa ishte!

Robert Ndrenika rrëfen sukseset e Edi Ramës në spotin elektoral


Sot ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, dhe partitë politike kanë publikuar spotet elektorale që transmetohen në televizionet e vendit.

Partia Socialiste ka publikuar një spot elektoral, ku narratori është aktori Robert Ndrenika, i cili shpjegon "arritjet" dhe "sukseset" e Rilindjes, vizionin e qeverisë dhe tregon se sa do të zhvillohet Shqipëria, nëse Edi Rama fiton një mandat të tretë.

Ironikisht, spoti hapet me Ndrenikën, që flet për një çështje shumë të ndjeshme, për Teatrin Kombëtar, të shembur brutalisht nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Aty, Ndrenika thotë se teatri i ri që do të ndërtohet, do të jetë më "funksional dhe i bukur" se sa ishte.

"E di që këtu do të shohim përsëri shfaqje, jo vetëm këtu, por edhe në Teatrin e ri Kombëtar, që do të ngrihet aty ku ishte, por shumë herë më funksional dhe më i bukur nga sa ishte", shprehet Ndrenika në spot.

Kujtojmë se aktori i njohur, ishte fillimisht kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, por më pas bëri një prapaktheu duke dalë pro ndërtimit të një teatri të ri.

Ndërkohë opozita ka premtuar se do të rindërtojë Teatrin Kombëtar "aty ku ishte dhe ashtu siç ishte".

/TPZ.al/