TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kompania turke Tete Albania, e cila ka me koncesion industrinë e bakrit në Shqipëri, ka përfunduar ndërtimin e fabrikës së pasurimit të bakrit në Spac, përmes një investimi i cili vetëm në fazën e parë ka kushtuar mbi 11 milionë dollarë.
Sipas projektit, fabrika ku do të punësohen mbi 300 vetë pritet të fillojë nga puna në shkurt ose mars të këtij viti për të pasuruar bakrin e nxjerr nga miniera pranë ish burgut famëkeq.
Projekti i kompanisë parashikon që në minierën e Spaçit të prodhohen rreth 19.7 mijë tonë koncentrat bakri në vit për dhjetë vitet e ardhshme. E gjithë kjo sasi bakri do të pasurohet në fabrikën e sapondërtuar, një proces, i cili rrit vlerën për eksport duke sjellë më shumë përfitime për ekonominë vendase.
Spaçi është miniera e dytë më e madhe e bakrit në Shqipëri pas asaj të Munellës. Ajo është ngritur që në vitin 1954 dhe gjatë periudhës së regjimit komunist është shfrytëzuar përmes punës së të burgosurve. Studimet e fundit tregojnë se, kjo minierë ka një rezervë të shfrytëzueshme bakri prej 2.8 milionë tonësh.
Gjatë viteve të fundit industria e bakrit është përballur me probleme për shkak të rënies së ndjeshme të çmimeve si pasojë e krizës globale. Por me rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, industria minerare duket se ka nisur të rigjallërohet. /TCH