AKTUALITET, 9 September 2026, 10:36

Zbardhen dy vjedhje në Korçë, arrestohet 18-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori

Zbardhen dy raste vjedhjeje të ndodhura në qytetin e Korçës, ndërsa policia ka arrestuar një 18-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij.

Operacioni është finalizuar nga Komisariati i Policisë Korçë, pas një hetimi dhe veprimeve të tjera procedurale për dokumentimin e dy ngjarjeve.

Në pranga ka rënë 18-vjeçari me iniciale A.H., ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, 18-vjeçari E.Ll.

Sipas policisë, dy të rinjtë dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një market në lagjen nr. 16 të qytetit të Korçës, ngjarje e ndodhur rreth një muaj më parë.

Gjithashtu, gjatë hetimeve është dokumentuar edhe një tjetër vjedhje, e ndodhur disa javë më parë në një bar-kafe në lagjen nr. 9 të Korçës, ku dy të rinjtë dyshohet se kanë vepruar sërish së bashku.

Pas ekspertimit të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë dhe kryerjes së veprimeve të tjera hetimore, policia ka bërë të mundur dokumentimin e dy rasteve të vjedhjes.

Nga të dyja bizneset, autorët dyshohet se kanë marrë shuma parash dhe mallra. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.