TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Administrata gjyqësore në Gjykatën e Tiranës ka vijuar edhe këtë të mërkurë bojkotin e punës, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave.
Sekretarë gjyqësorë, ftues dhe sanitare kanë ndërprerë shërbimet prej orës 08:00, duke mos qëndruar në detyrë për regjistrimin dhe mbajtjen e seancave gjyqësore.
Dyert e administratës gjyqësore vijojnë të jenë të mbyllura për shërbimet, ndërsa punonjësit kërkojnë zgjidhjen e situatës së krijuar lidhur me pagat e muajit gusht.
Pas një dite më parë, kur administrata e Gjykatës së Tiranës dhe e Gjykatës së Apelit ndërpreu për disa orë punën, protesta ka hyrë tashmë në ditën e dytë.
Për të mos penalizuar personat e arrestuar, do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë. Një ditë më parë, bojkotit iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Apelit.
Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë solli dje edhe mbledhjen e kryetarëve të gjykatave në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve.
Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mblodhi dje drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve. Në takim u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit normal të sistemit të drejtësisë”.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.