SPORT, 30 Korrik 2021, 15:15

Rei Manaj kërkon kohë nga Barcelona, ja prapaskenat për sulmuesin e Kombëtares

Rei Manaj kërkon kohë nga Barcelona, ja prapaskenat për sulmuesin


Rei Manaj është bërë çështje te Barcelona. Pozitive sigurisht. Me katër golat e shënuar në dy miqësore që ka zhvilluar, Manaj shënon me katalanasit një gol për çdo 17 minuta. Nesër ndaj Shtutgardit do të jetë një tjetër shans për bomberin e Kombëtares që të vijojë me formën e shkëlqyer dhe shënimet e golave. Së fundmi, “Mundo Deportivo” ka bërë me dije edhe disa prapaskena si për vlerën e kartonit të paguar nga Barça, ashtu edhe për vendimin e largimit nga katalanasit.

KUSHTOI 2.7 MLN EURO

Barcelona ka paguar 2.7 milionë euro për kartonin e Manajt. Nga sa bën me dije media spanjolle, kartoni i shqiptarit ka kushtuar 700 mijë euro dhe për çdo gjysmë sezoni katalanasit detyrohen të paguajnë 500 mijë euro për të kompletuar këtë shifër transferimi. Për këtë, Barcelona, në rast shitjeje, do të kërkojë që të marrë maksimumin e ofertave nga djaloshi kuqezi, ndonëse asgjë nuk është e sigurt, sepse trajneri Kuman mund ta mbajë si alternativë në stol.

SULMUESI MERR KOHË

Do të jetë Rei Manaj ai që do të vendosë të ardhmen. Barcelona cakton piketat për qëndrimin apo largimin. E nëse vendimi është ky i fundit, atëherë lojtari do të ketë dorë të lirë për të caktuar të ardhmen e tij, pasi katalansit të kenë përfituar ofertën ekonomike të ofruar. Mediat në Spanjë bëjnë me dije se djaloshi nuk po nxiton, duke dashur të shfrytëzojë çdo minutë që ka mundësi të stërvitet dhe të luajë me Barcelonën.

ALBASETE “FËRKON DUART”

E ardhmja e Rei Manajt te Barcelona është ende e paqartë, pasi klubi duket i pavendosur nëse do të mbajë lojtarin apo do të pranojë ndonjë nga kërkesat që i kanë mbërritur për sulmuesin shqiptar. Në këtë mes duket se është një klub i cili po bën tifo që katalanasit të shesin lojtarin e përfaqësueses kuqezi.

Albasete kur vendosi t’i shiste Manajn Barcelonës shtoi në kontratë edhe një klauzolë për një përqindje nga transferimi i radhës. Në një kohë krize si kjo aktualja, në këtë klub tani shpresojnë që Barça të heqë shpejt dorë nga sulmuesi, siç ka treguar drejtori sportiv i Albasetes, Alfonso Serrano.

“Kemi një përqindje për shitjen e radhës të lojtarit dhe ajo që mund të bëjmë ne është të shpresojmë që të ndodhë. Sa më shumë të ardhura të kemi, aq më mirë do të jetë. Urojmë që të ndodhë kjo shitje, do të ishim të gjithë më të lumtur”, tha ai para gazetarëve rreth kësaj teme. Albasete përfiton 15% nga shitja e mundshme e tij.