SPORT, 30 Korrik 2021, 15:04

Analiza e Arrigo Sakit/ Nga milanezët te Juvja e Alegrit, ju tregoj si ndryshon Seria A

Analiza e Arrigo Sakit/ Nga milanezët te Juvja e Alegrit, ju tregoj si


Nuk jep nota Arrigo Saki dhe nuk ka për ta bërë kurrë. I duket mungesë respekti që dikë ta vlerësojë me një numër, sidomos kur bëhet fjalë për kolegë. Ama, në skanerin e ish-trajnerit të Milanit dhe Italisë përfundojnë të gjithë si në analizën e bërë për “La Gazzetta dello Sport”.

INTER/SIMONE, TEST I SË VËRTETËS EDHE NË EUROPË

Me Lacion ka punuar mirë, por tek Interi gjen një klub krejt tjetër dhe një ekip që sapo ka fituar kampionatin. Inzagi ka ide të mira për një lloj të caktuar futbolli. Përveç artit italian të mbrojtjes dhe kundërsulmit, Simone njeh edhe idetë e dominimit të rivalit. Sidoqoftë, kjo mënyrë sjelljeje nuk na ka çuar larg ne italianëve që nuk po fitojmë një trofe në Europë prej 11 vjetësh. Pozicioni i Inzagit është teknik, por edhe administrativ, e kjo ia ndërlikon disi misionin. Tifozët presin që skuadra të ecë në Europë, ndërkohë që trajneri duhet të shfaqë durim e cilësi, të cilat ndonjëherë janë më efikase se sa inteligjenca.

MILAN/PIOLI MUND TË HEDHË NJË TJETËR HAP

E njoh prej vitesh, por më ka habitur vazhdimisht. Duke qartë që studion shumë dhe mundohet. Puna me të rinjtë te Milani ka qenë fantastike, por e ka ndihmuar edhe prania e Maldinit. Trajneri ka fituar siguri dhe ka kthyer në idhuj lojtarë si Kesi e Kalabria që deri dje vërshëlleheshin nga tifozët. Te Milani të gjithë po japin më të mirën dhe meritat i takojnë atij që i drejton. Tashmë ka ardhur momenti për një hap tjetër përpara duke mos hequr dorë nga konceptet e lojës që kanë sjellë ekipin deri këtu. Kur idetë nuk ndryshojnë dhe njihen nga të gjithë, atëherë lojtarët e kanë më të lehtë detyrën e mund të kapërcejnë limitet e tyre. Falë entuziazmit mund të kapërcehen edhe deficitet teknike që janë normale për një grup me moshë të re si ai kuqezi.

JUVENTUS/ ALEGRI, “KONT” NË NIVEL TAKTIK

Masimiliano është i pashoq e nëse më duhet ta përkufizoj zgjedh termin “konkret”. Ai i interpreton ndeshjet më mirë se kushdo dhe jo më kot është takticieni më i aftë i Serisë A. Ka humbur vërtet dy finale Champions-i, por mos harroni se deri aty nuk mbërrihet rastësisht. I intereson të fitojë më tepër sesa të argëtojë, por nuk ka asgjë të keqe në këtë synim. Rikthimi i tij është pritur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe tifozët kanë të drejtë sepse mjafton të shohim se çfarë arriti Juvja në vitet e menaxhimit të Alegrit. Është njeriu i duhur në vendin e duhur sipas mendimit tim, sepse i lexon sfidat si askush tjetër dhe e di farë mirë se kur i duhet të ndërhyjë. E përsëris, taktikisht është më i mirë dhe di si ta mbajë ekipin në dorë.

ATALANTA/ GASPERINI, NË LOJË MES “BIG”-ËVE

Klub, lojtarë dhe skuadër, një trini e shenjtë që nuk shihet askund tjetër. Me Atalantën luan i gjithë qyteti i Bergamos dhe më e bukura është që po qëndrojnë në elitë duke shpenzuar 1/ 10-tën e rivaleve. Meritat u takojnë drejtuesve dhe futbollistëve, por sigurisht që në majë qëndron Gasperini. Në një vend si Italia ku dominon individualizmi, dukej e çuditshme se si mund të largohej dikush si Gomez, por bluzinjtë kanë stil në të gjitha nivelet dhe asgjë nuk varet nga një individi. Notat nuk i preferoj, por trajneri i Atalantës është i vetmi që meriton një dhjetë sepse i ka bërë mrekullitë në kampionat e Champions. Të fusësh Atalantën në radhën për titull nuk do të ishte e drejtë, pavarësisht se jep çdo vit leksion futbolli, një sport që duhet të kuptojmë se luhet në kolektiv.

ROMA/ZHOZE DO TA MBAJË PRESIONIN

Paparashikueshmëria është arma e tij më e fortë, ndaj jam i bindur se do të na argëtojë. Taktikisht është një fenomen, por menaxhon në mënyrë të përsosur edhe mediat. Duke tërhequr trysninë mbi vete, lojtarët do të jenë më të lirë për të dhënë maksimumin. Do të dijë të përshtatet më së miri në realitetin romanist, pavarësisht se është më i nxehti i të gjithë Italisë. Jam i bindur që Zhoze nuk trembet, përkundrazi, ka gjetur një stimul në proporcion me egon e tij. Zaniolo dhe ndonjë tjetër do të përfitojnë nga prania e portugezit për të ngritur lojën e tyre në nivele të tjera, ndaj nëse prisni surpriza, atëherë duhet të mbani sytë nga Roma.

LACIO/ SARRI MËSON FUTBOLL, LOJTARËT TA NDJEKIN

Një rikthimi nga i cili do të përfitojë i gjithë futbolli Italian. Shumëkush mund të përdore shembullin e Juves për të ulur vlerat e Sarrit, por në Torini nuk i sollën asnjë nga lojtarët që dëshironte. E pamundur të bënte më shumë në një kontekst ku mungonte besimi. Uroj që te Lacio të mos përsërisin gabimet e Juves sepse kanë në duar një trajner të spikatur. Sarri, për mua, është shëmbëlltyra e futbollit, por kam dyshime për përshtatjen e lojtarëve që nga sistemi i Inzagit do ta gjejnë veten në një botë krejt tjetër taktike. Profesionalizëm dhe përulësi janë kriteret bazë për këto muaj të parë bashkëpunimi, sepse Mauricio është profesor i këtij sport. Duhet thjesht ta ndjekin.

NAPOLI/SPALETI SHPËRTHEN FALË GRUPIT

Për mua Spaleti është një mister më vete. Nuk e kuptoj nëse anon majtas apo djathtas pavarësisht se me përvojën që ka duhet të ishte më i qartë. Te Napoli gjen një grup të lartë lojtarësh, por publiku pret lojë të bukur dhe rezultatet. Impakti me ambientin është vendimtar në këtë situata pas dihet ndikimi që kanë tifozët tek ekipi. Për mua mbetet një trajner inteligjent që di s’i të marrë më të mirën, ndaj nëse shpërthen grupi, edhe Spaleti do të bëjë figurën e tij të mirë. Nëse individualitetet, që Napoli i ka me shumicë, i binden trajnerit, skuadra mund të fluturojë lart.