AKTUALITET, 9 Nëntor 2020, 14:42

Rastet me Covid në rritje, mjekët italianë bëjnë thirrje për bllokim në të gjithë vendin

Rastet me Covid në rritje, mjekët italianë bëjnë

Shoqata Italiane e Mjekëve dhe e Kirurgëve ka bërë thirrje për një bllokim mbarëkombëtar ndërsa vendi po përballet me rritje të rasteve me koronavirus dhe me rritjen e shtrimit të njerëzve në spitale si dhe pacientëve në njësinë e kujdesit intensiv, raporton europost.eu

Nëse trendi vazhdon, Italia do të regjistrojë edhe 10 mijë viktima në një muaj, tha të dielën presidenti i shoqatës Filippo Anelli.

“Mesatarisht gjatë javës së kaluar kemi regjistruar 1,000 pacientë që janë shtruar për një ditë, 110 në kujdes intensiv, 25 mijë në izolim shtëpiak dhe 300 viktima në një ditë”, u shpreh ai.

Nëse kjo tendencë mbetet e pandryshuar, atëherë në një muaj do të mund të regjistrohen 10 mijë viktima të tjera dhe do të tejkalohet pragu i 5,000 shtrimeve në kujdesin intensiv sipas presidentit të shoqatës.

“Skenari që qëndron përpara është dramatik, jo vetëm për trajtimin e pacientëve me COVID-19, por mbi të gjitha për trajtimin e të gjithë pacientëve me sëmundje të tjera”, theksoi Anelli.

Italia tashmë gjendet nën shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 5 të mëngjesit, ndërsa baret dhe restorantet do të qëndrojnë të hapura deri në 18:00. Disa zona të caktuara po përballen me kufizime më të ashpra. Banorët në rajonet e zonës së kuqe sikurse në Lombardi, Piemonte, Valle d’Aosta dhe në Kalabri mund të largohen nga shtëpia vetë për nevoja thelbësore.

Anelli tha se nevojiten masa drastike të tilla si një bllokim total, për të shmangur mbingarkesën e spitaleve në fund të dhjetorit dhe të janarit, me pacientët e sëmurë nga koronavirusi dhe gripi.