AKTUALITET, 9 Nëntor 2020, 12:03

“UÇK ndërmarrje kriminale e përbashkët”, përlotet Jakup Krasniqi në Hagë: Nuk ka më fyese!

“UÇK ndërmarrje kriminale e përbashkët”,


Një maskaradë të Serbisë, me adresë në Beograd, kështu e ka konsideruar ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi seancën gjyqësore nisur sot në Hagë, ndaj ish drejtuesve të UÇK.

Ndalur te aktakuza e cila e konsideron UÇK, ndërmarrje kriminale e përbashkët, Krasniqi tha se nuk ka më fyese.

“Cilësimi i prokurorit që ne jemi ndërmarrje kriminale e përbashkët për mua që luftuam gjatë, nuk ka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana të vështira jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë e shtet ndërtimit, që i arritëm me SHBA, BE, NATO dhe OKB e bashkë ishim e jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare e shtet formuese.

Ndërmarrje e përbashkët kriminale, ishte edhe është koka e saj në Beograd e mbështetësit e politikave të Beogradit. Besoj shumë që këtë e di secili qytetar i arsimuar, që së paku është mbi 30 vjeç e jeton në vendet e demokracive perëndimore, me vlerat e kësaj bote, që veçohet me vlerat e të drejtat e liritë e njeriut.

Dua t’u them që: Kam qenë i dënuar nga regjimet e Jugosllavisë në 81 dhe 82 dhe më dënuan pse kam lexuar libra, pse e kam kundërshtuar atë regjim. Më shumë të drejtë kanë pas ata atje se sa sot që gjendem këtu.

Për mua është bërë një padrejtësi e madhe, dhe do ta mbaj edhe këtë padrejtësi. Atë që nuk e mban guri e mban njeriu.

Unë e populli im kemi mbajtur shumë, nuk kemi nevojë edhe për këtë. Unë mendoj se adresa e qartë e kësaj maskarade është në Beograd dhe mbështetësit e politikave të saj kudo qofshin ato". – tha Krasniqi.