SPORT, 2 Gusht 2021, 19:39

PSG shqetëson Juventusin, Leonardo i fiksuar pas mesfushorit italian


Juventusi nuk po arrin akordin me Sassuolon, negociatat po zgjaten shumë dhe Manuel Locatelli mund të përfundojë te PSG.

Le10Sports shkruan se klubi francez është rifutur në garë për shërbimet e mesfushorit të Italisë, i cili zhvilloi paraqitje pozitive në Euro 2020.

23-vjeçari është një nga dëshirat e Leonardos, drejtorit sportiv të klubit. Braziliani e njeh mirë falë aventurës te Milani.

Leonardo po tenton të shfrytëzojë mungesën e marrëveshjes Sassuolo-Juventus, dhe po përgatit një ofertë serioze.

Dëshira e madhe e Locatellit është Juventusi, por te PSG janë të bindur që do jetë e vështirë për lojtarin të refuzojë ofertën e tyre.