SPORT, 2 Gusht 2021, 09:39

Lautaro kushton 90 milionë euro, nis ankandi/ Interi refuzon ofertat, ja çfarë kërkojnë zikaltrit

Lautaro kushton 90 milionë euro, nis ankandi/ Interi refuzon ofertat, ja


Lautaro Martinez është tashmë një çështje në shtëpinë zikaltër. Argjentinasi që pritet t’i bashkohet ekipit sot në fazën përgatitore, e ka akoma të paqartë të ardhmen e tij. Lidhja e tij me Interin daton që para tri sezoneve dhe ishte klubi italian që e ndihmoi të bënte kapërcimin e madh në cilësi dhe t’i tregonte botës atë që ishte i aftë të bënte.

Tani admiruesit më të mëdhenj të tij janë pikërisht drejtuesit e klubeve nga Anglia, aty ku Arsenali prej kohësh është në ndjekje të argjentinasit dhe këtë herë ka bërë edhe një hap drejt tij. Propozimi i fundit i ardhur nga Londra ka qenë shkëmbimi i 23- vjeçarit me Aleksandër Lakazet, ndërsa te Arsenali po shqyrtohet gjithashtu mundësia e shfrytëzimit të kërkesës që Interi po bën për Hektor Bejerin, për t’iu afruar Lautaros, por përgjigjja e drejtuesve zikaltër ka qenë negative dhe e prerë.

Ata e vlerësojnë argjentinasin të paktën 80 milionë euro dhe nuk do të pranojnë asnjë ofertë për të në shifra më të vogla apo ku do të përfshihen lojtarë të tjerë. E njëjta përgjigje pritet të vijë edhe për homologët londinezë të Totenhemit, që kanë shfaqur prej fillimit të merkatos interes të vazhdueshëm për futbollistin dhe që më shitjen e mundshme të Heri Kejnit do të kishin jo vetëm një arsye më shumë për të këmbëngulur, por edhe të ardhura të mjaftueshme për të kënaqur dëshirat e zikaltërve.

Nga Spanja lëvizjet për “Demin” janë konkrete dhe, sipas mediave italiane, Atletiko e Madridit ka dërguar një ofertë prej 50 milionë eurosh në zyrat e Interit, që është refuzuar menjëherë, shumë pak për pritshmëritë që kanë drejtuesit zikaltër, të cilët nga ana e tyre po mendojnë për Hoakin Korean si zëvendësues të sulmuesit në rast largimi. Trokitja në derën e Interit nuk pritet të ndalet këtu, aq më tepër që mes lojtarit dhe shoqërisë nuk po gjendet akoma akordi për rinovimin.

Interesi i vazhdueshëm i klubeve më të mëdha europiane duket se nuk e ka lënë indiferent Lautaron, i cili edhe pse e vlerëson shumë lidhjen e tij me ekipin zikaltër, mund të zgjedhë të ndajë rrugët në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tij. Nga ana tjetër, edhe klubi do të përfitonte një lehtësim të madh në bilanc nga shitja e argjentinasit, por deri në mbërritjen e ofertës që do të kënaqë të dyja palët, futbollisti do të vazhdojë të qëndrojë në Milano.