SPORT, 24 Prill 2021, 20:28

PSG mposht Metz dhe ngjitet përkohësisht në krye!

PSG mposht Metz dhe ngjitet përkohësisht në krye!

Tre gola, dy herë Mbappe dhe Icardi nga pika e bardhë iu mjaftuan parizienëve në transfertën ndaj Metz, prova gjenerale për sfidën e parë në UCL ndaj Man City’t, mesjavën e ardhshme. Triumf i shoqëruar me vendin e parë deri në ndeshjen e ardhshme të Lillë. I pamjaftueshëm goli Centonze për vendasit që nuk rrezikojnë në mesin e tabelës.

Katër minuta iu deshën Mbappe dhe një kombinim me Herreran për të zhbllokuar sfidën me ndihmën e shtyllës së djathtë në portën e Oukidja. Raste për miqtë dhe dy kartona të verdhë, një për çdo skuadër mbyllin pjesën e parë. Në të 2-ën, Boulaya kroson nga e majta dhe Centonze mposht Navas duke barazuar shifrat për vendasit.

13 minuta dhe një karton i verdhë për Mbappe që protestoi përpara se të dyfishonte për një vendim të kryesorit Delajod. Topi i humbur nga Sarr përfundoi tek Mbappe, gjuajtja e të cilit u devijua nga Kouyate përpara se të pushonte në rrjetën e Metz. Miqtë provuan të barazojnë me Sarr por Navas ndali gjithçka.

Deri në fund kishte kohë për Icardin që pasi zëvendësoi Neymar, fitoi një 11 metërsh të cilin e ktheu vetë në gol, pas tetë minutave në fushë. 72 pikë pas 34 javëve për Paris SG që pret i qetë anglezët në mesjavën evropiane dhe Lens, fundjavën e ardhshme.