TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me Ashley Young që pritet të rikthehet në kampionatin anglez në fund të sezonit, Inter është vënë në kërkim të një futbollisti për krahun e majtë të mesfushës dhe emri që ka dalë në skenë së fundi është ai i brazilianit Renan Lodi.
Ky i fundit u transferua te Atletico Madrid para dy sezonesh, por nuk ka arritur të marrë një rol të rëndësishëm në formacionin e Simeones, ndaj po mendon largimin nga “Wanda Metropolitana” dhe është joshur nga ideja për t’u transferuar në kampionatin italian.
Shpejtësia, këmba e saktë dhe dëshira për t’u përfshirë në driblime janë karakteristikat kryesore të Renan Lodit, që për më tepër ka në favor edhe moshën e tij, pasi është vetëm 23-vjeçar dhe me një marzh mjaft të lartë përmirësimi.
Pika e dobët e Lodit është faza mbrojtëse, ndaj edhe Simeone nuk i beson shpesh formacionin, megjithatë bëhet fjalë për një rast të ngjashëm me Achraf Hakimin, i cili është rritur vërtetë shumë nën drejtimin e Contes.
Tekniku zikaltër është gati të bëjë të njëjtën gjë edhe me Renan Lodin, që në skemën 3-5-2 mund të jetë më i lirë të avancojë në krah, pasi krahët ia mbron një futbollist si Bastoni, ndërsa prania e Perisic mund t’i japë mundësi të rritet me qetësi.
Megjithatë shumë do të varet edhe nga pretendimet e “Los Colchoneros”, pasi Interi nuk duket i pritur të shpenzojë më shumë se 20 milionë euro për kartonin e Renan Lodit, një shifër e përafërt me atë që Atletico shpenzoi për ta marrë dy vite më parë nga Atletico Paranense.