TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Republikës ka vendosur të anullojë votimet pa zgjedhje të 30 qershorit duke u nisur nga parimi bazë se përpara zbatimit të ngurtë të rregullave ligjore, duhet të respektohet zbatimi i garancive dhe standardeve kushtetuese. Nisur nga kjo premisë ai u shfaq këtë të hënë me të gdhirë për të firmosur para gjithë shqiptarëve çdekretimin e zgjedhjeve duke deklaruar se: “pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen”.
Po si e ka argumentuar Ilir Meta këtë vendim të fortë dhe tejet kontrovers. Lapsi.al ka qëmtuar me kujdes ligjërimin e gjatë të kreut të shtetit për të nxjerë thelbin e arsyeve se përse ai e hodhi këtë hap…
1) Anullimi u bë sepse i heq afro gjysmës së popullsisë (sipas dy garave të fundit elektorale) të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.
“Në këtë vështrim, realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematik në aspektin demokratik, sepse u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkuruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor” thuhet në dokumentin e presidencës. Aty sqarohet se organizimi i votimeve vetëm për gjysmën e popullësisë bie ndesh me netet 1, pika 3 dhe atë 45 të Kushtetutës. Në rastin e parë ligji themeltar i shtetit precizon: “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Ndërsa në rasin e dytë neni 45 shkruan: “çdo shtetas… ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet”.
2) Argumenti i dytë për çdekretimin është se duke qenë që fiks në gjysmën e bashkive ku zhvillohen votime nuk ka kandidat alternative i bën këto zgjedhje jo pluraliste.
Mirë po neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkuruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur.
3) Presidenti si simboli i unitetit të popullit ka detyrimin kushtetues të bëjë gjithçka për evitimin e konfliktit civil. Dhe duke qenë se palët po përdorin vetëm taktikat e shantazhit ndaj njëra- tjetërës, dhe duke paralajmëruar zgjidhje të dhunshme në 30 qershor, ky rrezik duhej shmangur me anullimin e zgjedhjeve. Ky arsyetim bazohet në nenin 86 të Kushtetutës i cili e shikon Presidentin e Republikës si kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Në arsyetim thuhet: “Për Presidentin e Republikës, bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit, janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal”.
4) Ky anullim i votimeve që do të prodhojë si efekt edhe zgjatjen përtej kufinjve ligjorë të mandatit të kryebashkiakëve nuk është antikushtetues sikurse pretendojnë idhtarët e mazhorancës të cilët pretendojnë se kryebashkiakët nuk mund të qëndrojnë në zyrat e tyre për ti shërbyer popullit përtej afatit 4 vjeçar. E para se ajo ka ndodhur edhe në 2017 me rastin e shtyrjes së zgjedhjeve në Kavajë. Në tekst Ilir meta thotë shprehimisht: “anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese”
Shtyrja e mandatit të të zgjedhurve lokalë nuk është antikushtetuese Ka ndodhur edhe në Kavajë prandaj meta arsyeton se përpara zbatimit të ngurtë të rregullave ligjore, çmoj se duhet të respektohet zbatimi i garancive dhe standardeve kushtetuese
5) Ky anullim i zgjedhjeve nuk është një precedent që ndodh për herë të parë, sikurse pretendojnë mbështetësit e Ramës. Presidenti Alfred Moisiu i shtyu zgjedhjet lokale të 2017 nga janari në shkurt të 2017. Bujar Nishani shtyu Zgjedhjet e pjesshme të Kavajës nga 7 maji në 25 qershor dhe zgjedhjet e përgjithshme nga 18 deri në 25 qershor. Në deklaratën e Metës thuhet: “Si konkluzion, i shqyrtimit të këtyre preçedentëve të mëparshëm ndër vite, shtyrjet e proceseve zgjedhore të përgjithshme apo vendore në Republikën e Shqipërisë, janë diktuar si pasojë e rrethanave të veçanta politike, të klimës së mosbesimit midis palëve, konfliktit politik, dhe situatave të tensionuara, që në të gjitha rastet kanë bërë të domodoshëm ndërhyrjen e autoritetit të vetëm kushtetues që është Presidenti i Republikës, për të nxjerrë një Dekret të ri, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.”
Këto argumenta, bashkë me arsyetimin se ky akt as nuk krijon vakum në ushtrimin e detyrës së kryebashkiakëve për ti shërbyer qytetarëve, por përkundrazi i shërben ekonomisë, stabilitetit dhe sifidave të integrimit në BE e kanë shtyrë Ilir Metën të anullojë datën e 30 qershorit duke pritur kompromisin politik për vendosjen e një date tjetër./Lapsi.al/