AKTUALITET, 2 Prill 2018, 17:22

Protestuesit bllokojnë Policinë e Tiranës, ndërsa rrugët e kryeqytetit mbushen me parrulla për Kukësin

Qytetarët e Kukësit në shenjë proteste kanë bllokuar rrugën para Drejtorisë së Policisë e Tiranës, tek “Myslym Shyri” në shenjë proteste për atë që ndodh në “Rrugën e Kombit”, dhe u kërkojnë në mënyrë simbolike drejtuesve të mjeteve 5 euro për të kaluar.

Dhjetëra qytetarë të Kukësit prej ditës së djeshme ndodhen para drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku janë transferuar të arrestuarit për protestën në “Rrugën e Kombit”.

Mbrëmjen e së shtunës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat speciale të policisë dhe ato RENEA, arrestuan 23 prej qytetarëve të cilët ishin në protestën e mbajtur tek ‘Rruga e Kombit’.

Ndërkohë, disa të rinj kanë mbushur me parrulla në mbështetje të protestuesve të Kukësit, rrugët e Tiranës.