AKTUALITET, 2 Prill 2018, 13:17

Policë shqiptar në Stamboll për “Escobarin” Met Kanani

Një grup i policisë shqiptare dhe prokurorë të Krimeve të Rënda kanë mbërritur të premten në Stamboll për të marrë informacione në lidhje me “Escobarin shqiptar” të arrestuar. Bëhet fjalë për Met Kananin, të cilit iu kap 1.1 ton kanabis.

Ndërkohë 11 të arrestuarit përfshirë dhe Kananin kanë dalë para trupit gjykues. Po ashtu policia në Stamboll gjeti dhe një magazinë që përdorej nga shqiptari për të mbjellë kanabis.

Ka dyshime të forta se ai e ka bërë disa herë këtë rrugë, ndërsa nëntorin e kaluar arriti t’i shpëtonte policisë greke në Egje. Gomonia u bllokua me 1.3 ton kanabis por Met Kanani nuk la asnjë gjurmë.

Hetimi në Turqi

Prej më shumë se 6 muaj autoritetet turke kanë zhvilluar hetime për Met Kananin. Ekipet e Drejtorisë së Anti-trafikut në Stamboll kishin pikasur disa njerëz të Met Kananit në Turqi dhe kishin nisur ndjekjen e tyre.

Në mes të muajit mars, me mbërritjen e Met Kananit në Bodrum, policia nisi ndjekjen e tij nga afër.

Gjatë hetimeve u pa se Met Kanani po shikonte mbërritjen e drogës me një jaht në brigjet e Mulas, nga maja e një kodre. Por “Escobari shqiptar” nuk e dinte se po ndiqej nga policia, e cila edhe e kishte fotografuar.