AKTUALITET, 18 October 2026, 14:16

Protestuesi: Të “shkrihen” partitë! Rama dhe Berisha janë bashkë

Protestuesi: Të “shkrihen” partitë! Rama dhe Berisha

Një protestues ka artikuluar akuza të forta ndaj klasës politike, duke kërkuar largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës, si dhe ndryshimin e sistemit politik në vend. Gjatë një prononcimi, ai kërkoi shtet ligjor dhe drejtësi, duke akuzuar qeverinë se po ushtron terror ndaj qytetarëve dhe se policia po përdoret për qëllime politike.

“Duam shtet ligjor, po ushtrohet terror ndaj shqiptarëve. Kanë shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët. A ka Zot që t’i dënojë këta? Duam drejtësi, jo dhunë. Policia po përdoret nga politika”, u shpreh protestuesi.

Ai kërkoi largimin e klasës aktuale politike, duke i cilësuar partitë si “neokomuniste”, ndërsa pretendoi se Rama dhe Berisha janë bashkë dhe duhet të largohen të dy nga skena politike.

“Ne duam zgjidhje politike. Le të shkrihet klasa politike dhe partitë, të gjitha janë neokomuniste. Rama dhe Berisha janë bashkë, le të largohen të dy. Berisha ka kapur PD-në, të lirojë partinë e të ikë i pari”, deklaroi ai.

 

Gjatë fjalës së tij, protestuesi u ndal edhe te pagat e efektivëve të policisë, duke i krahasuar ato me shpenzimet që, sipas tij, lidhen me zyrtarët e lartë të qeverisë.

“Polici paguhet 700 mijë lekë! Aq nuk bën as bidéja e Belinda Ballukut”, u shpreh ai.

Protestuesi kërkoi gjithashtu që ndaj kryeministrit Edi Rama të merren masa ligjore dhe që pasuria e tij të sekuestrohet, duke theksuar se policisë duhet t’i rikthehet dinjiteti.

Në përfundim, ai u shpreh kundër dhunës dhe gjakderdhjes gjatë protestave, duke deklaruar se kishte ardhur në tubim me lule dhe se nuk dëshiron përplasje mes shqiptarëve.

“Nuk jemi të dhunshëm, unë kam ardhur me lule. Nuk duam gjakderdhje dhe vëllavrasje. Nëse vdes një qytetar këtu, do të bëhet gjaku lumë”, deklaroi protestuesi.