AKTUALITET, 1 September 2026, 20:52

Zjarret në vend/ Katër vatra ende aktive në Dajt, Bulqizë, Mat dhe Skrapar, mbi 250 efektivë në terren

Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend. Sipas informacionit operacional të datës 1 shtator 2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar 17 vatra zjarri, prej të cilave 4 vijojnë të jenë aktive, 2 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 11 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.

Vatrat aktive janë në Dajt, Vajkal të Bulqizës, Lundre të Matit dhe Therepel të Skraparit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve vijojnë në terren.

Në Dajt, puna vijon në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë angazhuar 68 forca. Sipas ministrisë, nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon në terren shkëmbor, ndërsa deri tani janë përshkuar nga flakët mbi 13 hektarë. Në operacion janë angazhuar 48 forca dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Lundre, në bashkinë Mat, situata favorizohet nga era. Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 helikopter.

Në Therepel të Skraparit, në operacion janë angazhuar forca të MZSH-së nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë, si dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe malin e Qukësit–Prrenjas janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

“Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, shkruan Ministria e Mbrojtjes.