AKTUALITET, 26 Dhjetor 2019, 13:59

Prokuroria shpall mos-kompetencë për padinë e Metës ndaj Dvoranit, kreu i KED në ‘duart’ e SPAK

Prokuroria shpall mos-kompetencë për padinë e Metës ndaj


Prokuroria e Tiranës ka shpallur sot mos-kompetencë për kallëzimin që presidenti Ilir Meta i bëri kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Padia e Presidentit pritet t’i kalojë SPAK, ndërkohë që shpallja e mos-kompetencës ka si motivacion faktin se Dvorani është zyrtar i lartë, dhe ky hetim është detyrë e SPAK.

Padia e Presidentit Ilir Meta ndaj Ardian Dvoranit u bë pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, dhe dublikimin e një vendi, për të cilin janë emëruar dy anëtare, Marsida Xhaferrllari nga Meta dhe Arta Vorpsi nga KED. Sipas Metës, Dvorani, ka shkelur ligjin dhe ka kryer dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës.

Meta kërkoi nga Prokuroria sekuestrimin e audiove të mbledhjeve të KED, për të parë procedurën e ndjekur me dërgimin e listave të kandidatëve për GJK në Kuvend dhe presidencë. Nga ana tjetër, kreu i KED shprehet se ai nuk ka shkelur asnjë ligj. Një padi për Dvoranin ka paralajmëruar dhe Avokati i Popullit në lidhje me emërimet në e gjyqtarëve në Kushtetuese.