AKTUALITET, 26 Dhjetor 2019, 13:15

E ardhmja e Xhakës mund të ndryshojë me trajnerin e ri, Arteta: E kam kërkuar te Mançester Siti

E ardhmja e Xhakës mund të ndryshojë me trajnerin e ri, Arteta: E


E ardhmja e Granit Xhakës mund të jetë sërish e lidhur me Londrën. Mesfushori dukej se e kishte të sigurt largimin nga Arsenali në janar, për shkak të marrëdhënies me tifozët e cila u acaruar kur lojtari me origjinë shqiptare reagoi hapur kundër tyre.

Megjithatë, me ardhjen e trajnerit të ri, Mikel Arteta, Xhaka është kthyer të jetë i rëndësishëm dhe mund të sheshojë problemet me fansat e klubit.

Aq më tepër kur trajneri Arteta ka vetëm fjalë pozitive për mesfushorin, madje së fundmi ai ka treguar se e ka kërkuar Xhakën te Mançester Siti në momentin kur ishte zëvendësues i Pep Guardiolës.

“Kur u largova nga Arsenali për të nisur një karrierë të re si trajner te Mançester Siti, po kërkonim një lojtar në pozicionin e Xhakës.

Ai ishte një prej lojtarëve në listën time. Kjo tregon sa shumë e pëlqeja atë. Isha i lumtur kur firmosi për Arsenal sepse mendova se ai do të ishte një futbollist i jashtëzakonshëm.

Ai ka bërë shumë gjëra të mira, por tani ka ngecur në një situatë të vështirë, e cila me kalimin e kohës u zmadhua dhe në fund shpërtheu.

Por, besoj se marrëdhënia ka nisur të përmirësohet dhe mendoj se tifozët kanë qenë për të. Ia kam thënë sa e pëlqej dhe çfarë pres nga ai, apo sa i rëndësishëm është për skuadrën. Jam këtu për ta ndihmuar dhe ai duhet ta dijë se ka mbështetjen tonë, jo vetëm nga unë por nga i gjithë klubi”, u shpreh Arteta.