AKTUALITET, 27 Maj 2021, 11:19

Prokuroria rihap hetimet për vrasjet në 21 Janar

Prokuroria rihap hetimet për vrasjet në 21 Janar


Prokuroria e Tiranës ka rihapur çështjen për vrasjen e Aleks Nikës me datë 21 janar 2011, në Bulevardin e Tiranës gjatë protestës së opozitës së atëhershme, kundër qeverisë Berisha. Çështja është regjistruar në prokurori prej një muaji dhe hetimi po vijon me veprime konkrete.

Rihapja e çështjes vjen 10 vjet pas 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues të opozitës së asaj kohe: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.

Rihapja e çështjes vjen menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 25 prillit. Pas rikonfirmimit të Edi Ramës në pushtet, duket se drejtësia po lëviz duke hapur dosje të bujshme.

Po në këtë linjë, SPAK ka kërkuar rihapjen e hetimeve për Fatmir Mediun, në ngjarjen e Gërdecit.

Procesi ndaj Fatmir Mediut, i cili u rikonfirmua si deputet në Kuvend, u pushua në një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në 14 shtator të vitit 2009, por SPAK bën me dije se ekiztojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes dhe kërkon nga Gjykata e Lartë revokimin e këtj vendimi.

“Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e SPAK.