AKTUALITET, 14 Tetor 2020, 22:37

"Profeti i Kokoshkave"/ Meta, Basha dhe Berisha transmetojnë në kanalet e tyre monodramën e Edmond Budinës

Mbrëmjen e sotme është transmetuar në "Syri Tv", një monodramë e Edmond Budinës, me titull "Profeti i Kokoshkave".

Këtë monodramë, e cila paraqet një lider autokrat dhe me vese, e kanë transmetuar njëkohësisht me Syri TV-në edhe presidenti i vendit, Meta, kryetari i opozitës, Basha dhe ish kryeministri Berisha, në rrjetet e tyre sociale.

Budina, nuk e ka pranuar se personazhi në monodramë është Edi Rama, por ka thënë se çdo njeri mund të gjejë personazhin që kërkon tek "Profeti i Kokoshkave".

“Unë nuk kam gërmuar në biografinë e një personi, por kam gjetur një shembull. Ky profet bën rrëfimin e tij përpara një pasqyre, në intimitetin e tij, në bunkerin ku rri mbyllur, ku mendon se si të çojë jetën e tij ose për atë që ka kaluar në të shkuarën. Profeti flet përmes zhurmave, ka një gjuhë të tij.

Natyrisht e bukura e teatrit qëndron te ajo që çdo njeri mund të gjejë personazhin që kërkon. Nuk e kam shkruar për kryeministrin. Por aktualiteti që sjell monodrama të shkon mendja te njëri apo te tjetri. Drejt kësaj duhet të shkojë teatri,” tha Budina.