AKTUALITET, 14 Tetor 2020, 20:04

Nations League/ Goli nuk ekziston për Shqipërinë, Kuqezinjtë e Rejës nuk shënojnë edhe ndaj Lituanisë

Nations League/ Goli nuk ekziston për Shqipërinë, Kuqezinjtë

Është mbyllur takimi mes Lituanisë dhe Shqipërisë për Nations League, me rezultatin e bardhë 0-0. Barazimi i dytë radhazi me këtë rezultat për kuqezinjtë tanë, pas ndeshjes në Kazakistan. Madje, thatësira për gola nuk është vetëm kaq.

Edhe në takimin e parë kundër Lituanisë, luajtur në Shqipëri, kuqezinjtë tanë jo vetëm që nuk shënuan për 90 minuta, por humbën 0-1. Mbrojtja me 5, nuk pëson shumë, por golat kuqezi, mungojnë.

Shumë pak për Brojën sot, ndërsa Seferi pati dy raste të arta, por të dyja u pritën nga portieri vendas. Lituania nuk rrezikoi thuajse aspak portën e Shqipërisë, madje niveli që treguan, la shumë për të dëshiruar. Por sërish, kuqezinjtë tanë vuajtën që të gjenin rrjetën.

Vetëm një pikë për djemtë e Rejës, pavarësisht se ishin dukshëm favoritë për të fituar. Pesë pikë pas katër ndeshjeve në UEFA Nations League, janë pak për Shqipërinë tonë, duke parë dhe nivelin që kundërshtarët kanë treguar në fushën e lojës. Shënimi i golave, nuk është dukur aspak kaq i vështirë për kombëtaren tonë.