AKTUALITET, 24 Tetor 2019, 20:15

Problemi/ Fusha e dëmtuar e stadiumit “Loro Boriçi” nxjerr Vllazninë nga Shkodra

Problemi/ Fusha e dëmtuar e stadiumit “Loro Boriçi”

Vllaznia është duke kaluar përtej pritshmërive në fushën e lojës, por fusha e lojës duket se nuk po arrin ti përgjigjet ritmeve të kuqebluve. Tapeti i gjelbërt i stadiumit “Loro Boriçi” është përfshirë përsëri në problematikën e dëmtimit, duke detyruar me shumë mundësi që skuadra shkodrane të bëjë ndonjë emrigrim të përkohshëm, për ti dhënë mundësinë të ndërhyet në barin e fushës.

Kështu, “Loro Boriçi” nuk do të jetë gati edhe për ndeshjen e javës së 11 të Superiores kundër Bylis, ndeshje e cila flitet se mund të luhet në një stadium tjetër, siç mund të jetë ai i Pukës, Lezhës, apo edhe në “Reshit Rusi”. Për fat, të dielën Vllaznia luan në transferte me Laçin, duke e reduktuar numrin e ndeshjeve jashtë shtëpisë, në pritje të rikuperimit të fushës.

Në fakt, situata është shqetësuese, pasi në të njëjtin muaj (tetorin e kaluar), edhe sezonin e kaluar tapeti ka patur nevojë për përmirësim. Dëmtimi i barit të fushës së lojës do ti detyrojë specialistët përkatës të marrin masa për rimbjelljen e tij. Kështu ka ndodhur edhe herë tjetër kur përsëri është kërkuar i njëjti process. Pasi është korrur bari ekzistues, është hedhur fara e barit përkatës, që ka filluar edhe të mbijë. Megjithatë, sipas specialistëve përkatës, një proces i tillë kërkon kohë, që minimalisht arrin një periudhë tre javore, që bari të rritet dhe të forcohet në rrënjë, në mënyrë që më pas fusha të jetë e gatshme për të pritur një ndeshje futbolli.

Për drejtuesit kuqeblu, ky është një dëm i madh që i bëhet Vllaznisë, pikërisht në një moment shumë të mirë të saj. Përvec Vllaznisë në mesin e nëntorit në këtë stadium është planifikuar të luajë edhe kombëtarja U-21 për ndeshjet eleminatore të Europianit, gjë e cila mund ta vështirësojë mundësinë e luajtjes së kuqebluve më herët se sa afati i parashikuar nga ana e specialistëve të tereneve sportive.