AKTUALITET, 1 Maj 2019, 21:48

Prindërit shqiptarë kërcënojnë të dashurën turke të djalit me vrasje

Prindërit shqiptarë kërcënojnë të dashurën


Një gjyq interesant në Gjermani ka pushtuar hapësirat e gazetave në Essen. Sipas portalit IKZ, një çift shqiptar ka kërcënuar me vrasje të dashurën e djalit të tyre.

“Ata nuk ishin dakord me të dashurën e djalit të tyre 20-vjeçar, prandaj kishin vendosur ta vrisnin. Tani, prindërit e 20-vjeçarit janë ulur në bankën e të akuzuarve, të paditur për tentativë vrasje dhe lëndime të rrezikshme trupore,” shkruan gazetari Stefan Wette.

Nën akuzë janë Xhezmi A. dhe e shoqja, Lefterie A. Por e plagosur nuk mbeti e dashura, por vetë djali i tyre, shkruan portali. Ai u godit nga babai me një thikë kuzhine në rrugë. Falë ndërhyrjes së dy kushërinjve, ngjarja nuk precipitoi më shumë.

Në shkrim thuhet se ky nuk është problem fetar, por kombëtar. 20-vjeçarja është me origjinë turke, kurse djali është shqiptar. Por prindërit e këtij të fundit nuk e pranojnë vajzën turke për shkak të krenarisë kombëtare, shkruan gazetari.

Ata e kishin vendosur djalin e tyre përpara alternativës: Zgjidh, ose prindërit, ose atë!

Ai vendosi të qëndrojë me të dashurën dhe pas kësaj nisën aktet te dhunshme. Fillimisht babai i djalit e kërcënoi 20-vjeçaren me vrasje nëse nuk ndahej nga i biri.

Kur djali i doli kundër, babai e goditi me mbajtësen e çelësave në fytyrë. Në një rast tjetër, ai goditi me makinë mjetin e 20-vjeçares. Ajo ndodhej e ulur brenda. Më pas erdhi sulmi me thikë.

Avokatja e prindërve shqiptarë thotë se ata janë të pafajshëm. Sipas saj, djali e ka sulmuar fillimisht të birin.

Gjyqi vazhdon.