TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prindërit e nxënësve së shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” kanë paralajmëruar sërish protestë ditën e sotme për të kundërshtuar transferimin e procesit mësimor për fëmijët e tyre në dy shkolla të tjera.
Shkak për këtë transferim është bërë rikonstruksioni i palestrës së shkollës, por sipas prindërve ky rikonstruktim mund të shtyhej përgjatë sezonit veror.
Por megjithëse prindërve u është thënë që punimet do të zgjasin vetëm dy muaj, në sqarimin për mediat që bën bashkia lidhur me protestën thuhet se rikonstruksioni do të zgjasë deri në 6 muaj.
“Ky rikonstruksion, i cili do të zgjasë për një periudhë kohore deri në 6 muaj, është i domosdoshëm për shkak të nevojës për ndërhyrje në sistemin qendror të ngrohjes, nyjeve sanitare dhe kushteve të palestrës.”- njofton Bashkia.
Pavarësisht se shkolla është inauguruar vetëm dy vite më parë, bashkia ka vendosur sërish të ndërhyjë për rikonstruksionin e saj ku sqaron se arsyeja e ndërhyrjes tani është sigurimi i kohës së nevojshme për të kryer të gjitha punimet e parashikuara, në mënyrë që shkolla e rikonstruktuar të çelë dyert për nxënësit e saj në shtator 2019, duke shtuar se punimet mund të mbarojnë në muajin Maj-Qershor.
Kjo ka nxitur prindërit që pasditen e sotme rreth orës 18:00 të zhvillojnë sërish protestë në shkollën “Gustav Mayer”, pasi kërkojnë që fëmijët e tyre të mos transferohen në mes të semestrit.
Ndërkaq prindërit i kujtojnë kryebashkiakut Erion Veliaj se kjo shkollë është inauguruar me shumë bujë nga ai vetëm dy vjet më parë.
“Sado i bukur të jetë parashikuar inaugurimi pas dy muajsh, kjo lavdi e përkthyer në vota nuk do të ndodhë. Sa për kujtese është e njëjta shkollë që Lali Eri e ka promovuar shumë bukur dy vjet më pare”– shkruan një prind, duke ju referuar postimit të kryebashkiakut Veliaj dy vite më parë, i cili e promovonte me mjaft entuziazëm inaugurimin e shkollës.
“E përmbledhur me pak fjalë: Mbyllet shkolla fillore në mes të shkurtit e nxënësit shpërndahen nëpër shkolla të tjera ku natyrisht mësimi është me 2 e 3 turne (edhe turn i trete për klasat fillore nuk kisha dëgjuar). Arsyeja është rikonstruksioni i palestrës se shkolles, rikonstruksion i parashikuar te zgjase 2 muaj(!) Pra sorollaten nja dy muaj fëmijët, bëjnë e nuk bejnë mësim, që pastaj të bëhet një inagurim bukur-bukur! Për këtë prindërit njoftohen 2 ditë përpara me nje letër bakalli që ia kanë lënë në dorë fëmijëve në fund të mësimit!
Pse nuk behen këto punime gjatë pushimeve të verës qershor-korrik-gusht? Pse kjo arrogancë komunikimi me prindërit? Pse nuk del askush të sqarojë, të diskutojë e të gjendet një rrugë e përshtatshme për të gjithë?
Dhëntë Zoti e u shtofshin investimet në shkolla, kopshte e çerdhe, por ky nuk është rasti që fëmijët të sorollaten poshtë e lart nëpër shkolla të tjera, me orë mësimi të vona shkel e shko.
(Nuk po i hyj fare diskutimit se sa shumë u kushton prindërve dhe vetë fëmijëve ky ndryshim i papritur dhe i panevojshëm. Dua të besoj se ky gabim do të rregullohet #mosutallnimefemijet #vendiprejngaduhetikur.”- shkruan një prind i shqetësuar.