AKTUALITET, 10 Gusht 2019, 15:31

Pranga në hipotekën e Durrësit, shpallen në kërkim zyrtarë të tjerë

Pranga në hipotekën e Durrësit, shpallen në kërkim

E kishin kthyer në biznes fitimprurës duke shfrytëzuar zyrtar dhe pozicionet shtetërore, por ditën e djeshme gjithçka ka marrë fund me pranga dhe të shpallur në kërkim nga uniformat blu.

Kështu policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi zyrtarë ka bërë më dije, se është finalizuar operacioni ‘Legalizimi’, gjatë të cilit është ndaluar një ekonomist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, ndërkohë që janë shpallur në kërkim zyrtarë të tjerë punonjës në këtë Agjenci.

Sipas policisë, këta persona kanë pajisur me leje legalizimi duke falsifikuar dokumentet të paktën dy qytetarë për një sipërfaqe 123 m2 dhe truall 500 m2 në zonën e plazhit.

Njoftimi i policisë shton se është ndaluar shtetasi R. K., 27 vjeç, banues në Durrës, me detyrë ekonomist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës, si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen dy zyrtarëve:

A. J., 42 vjeç, banues në Durrës, me detyrë Zv/Drejtor pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës;

F.R., 28 vjeç, banues në Durrës, me detyrë Specialist pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës

Tre shtetasit e mësipërm janë proceduar për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike’, ‘Shpërdorimi të detyrës ‘ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve ‘. ‘Personat më lart kanë pajisur me leje legalizimi duke falsifikuar dokumentet shtetasit Xh. N., 29 vjeç, banues në Durrës dhe E. S., 39 vjeç, banues në Berat’, vijon njoftimi. Referuar policisë materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.