NË FOKUS, 10 Nëntor 2020, 21:28

Porosia e Merkel në Samitin e Sofjes, zbardhet deklarata

Mesazhet e Samitit të Sofjes për bashkëpunim ngecën tek konflikti bullgaro-maqedonas. Dy kryeministrat mikpritës nuk arritën gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjen që kanë lidhur me emërtimin e gjuhës. Bullgaria ka deklaruar se do t’i bllokojë negociatat me BE-në këtij vendi.

Deklarata e Merkel

Vëmendjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë paraqitjes së saj online në Samitin e Sofjes, e ka marrë mosmarrëveshja mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.  Ajo ka porositur vendet e rajonit se duhet të pajtohen dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë mes tyre.

“Procesi i Berlinit gjithmonë është i lidhur edhe me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe trashëgiminë e të kaluarës dhe shpresoj se ky proces do të vazhdojë. Është shenjë e mirë që konferenca e vendosur në emër të Procesit të Berlinit, ka mundësuar që të takohen njerëzit, vendet anëtarë të Ballkanit. I inkurajoj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të avancojnë edhe bashkëpunimin në shkencë, sepse ajo është mënyra më e mirë që të promovohet hulumtimi dhe zhvillimi, inovacioni që të gjithë e duam dhe ajo do përmirësojë gjendjen në shtetet tuaja. Në konferencën e Sofjes, do të dëshiroja t’ju ftoja që të gjithë të vini në Berlin vitin e ardhshëm, shpresoj se do të jetë i mundur ky takim në verën e vitit të ardhshëm dhe edhe njëherë do të vlerësojmë se ku kemi mbërritur me Procesin e Berlinit. Për rajonin ajo që duhet ta them, duhet të pajtoheni, mos harroni, sepse ajo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Merkel. Kancelarja, gjithashtu përshëndeti deklaratat e nënshkruara gjatë samitit, si dhe formimin e tregut të përbashkët të rajonit.

Konflikti bllokon negociatat e Maqedonisë me BE-në

Kujtojmë se, disa ditë me radhë midis Shkupit, Sofjes dhe Berlinit po zhvillohet një debat i nxehtë për të tejkaluar mosmarrëveshjet. Ministri i Jashtëm gjerman Hejko Mas, porositi se konflikti duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale midis dy vendeve.

Pyetja është nëse Bullgaria do të jetë në gjendje të pranojë zgjidhjen e arritur në Berlin për shkak të mosmarrëveshjeve në koalicionin qeverisës, por edhe rezistencës së Presidentit Rumen Radev dhe socialistëve në opozitë.

Bullgaria e ka bllokuar fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, duke kërkuar që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

/TPZ.al/