TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Fabrika ime është si stallë. Pa dritare, pa dyer, pa ndriçim të plotë. Imagjinoni mbi 1700 persona që rrinë ulur e punojnë këpucët aty,” thotë ajo, pasi u kujdes që intervista të bëhej larg shtëpisë së saj, në një lokal ‘undeground’ në zonën e Institutit në Kamëz. “Zhurma e makinerive apo era e mastiçit është e padurueshme,” shtoi ajo.Vera shton se në këtë ambient pa oksigjen i duhet të qepë rreth 300 palë këpucë në ditë për të çuar në shtëpi pagën mujore prej 28 mijë lekësh. Në statistikat zyrtare, biznesi fason përfshihet në kategorinë e ndërmarrjeve prodhuese, duke i bërë shpeshherë të dhënat kontradiktore. Sipas Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore janë 313 ndërmarrje fason të regjistruara në të gjithë vendin, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha në një përgjigje me shkrim se në vitin 2017 numëroheshin si aktive 709 ndërmarrje të konfeksionimit të veshjeve dhe 264 ndërmarrje të prodhimit të lëkurës dhe produkteve të tjera prej lëkure. Të dyja këto linja prodhimi punësojnë së bashku 45 487 punonjës ose rreth 40 për qind të industrisë prodhuese në vend. Pjesa dërrmuese e të punësuarve në këtë sektor janë gra dhe vajza. E pyetur për pagën minimale në këtë sektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i tha BIRN se INSTAT nuk e prodhon këtë tregues. Megjithatë, ky institucion dha numrin e të punësuarve dhe shpenzimet totale për pagat, ç’ka e nxjerr pagën mesatare mujore në 24.8 mijë lekë për punonjësit e prodhimit të veshjeve dhe rreth 26 mijë lekë për prodhuesit e produkteve të lëkurës për vitin 2017. Thuajse gjysma e punonjësve të fasonerisë në vend janë regjistruar megjithatë me pagën minimale prej 22 mijë lekësh. Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore, i cili drejtohet nga Arben Seferaj i tha BIRN se rreth 43.7 për qind e punëmarrësve rezultojnë të siguruar me pagë minimale. Ekzistenca e dy borderove pranohet edhe nga punonjëset që BIRN intervistoi, të cilat thanë se një pjesë të pagës e merrnin në bankë dhe pjesën tjetër në dorë. Megjithatë, ankesat për pagat, nuk janë aq të shpeshta sa ato për kushtet e punës dhe normën e lartë ditore. Florian Zekja, pronar i dy kompanive fason i tha BIRN se futja në tregun shqiptar të kompanive ndërkombëtare mëmë i ka përmirësuar pagat në këtë sektor si dhe dhënien e tyre në kohë. Ai pranon se shumica e punonjësve janë të siguruar me pagë minimale, por shton se pagat variojnë në 30 mijë lekë e ndonjëherë edhe 40 mijë në muaj. “Rumania është bërë shumë e shtrenjtë, Kina është e largët, por edhe kostoja është rritur atje. Për njëmijë motive, në Shqipëri kanë filluar të punojnë ndërmarrjet mëmë, që janë vetë markat,” tha Zekja për BIRN. Zekja është i ndërgjegjshëm se ka ende kompani që shkelin Kodin e Punës, por ai thotë se 80 për qind e biznesit funksionon tanimë në kushte të mira. Ai mendon gjithashtu se ka një tendencë dashakeqe të medias ndaj këtij biznesi, i cili përforcohet edhe nga statistikat e INSTAT apo të Bankës Botërore. “Kur dalin statistikat e INSTAT apo të Bankës Botërore, del që biznesi fason i ka pagat e ulëta, por kjo nuk është e vërtetë,” tha Zekja për BIRN. Shkeljet nuk ndëshkohet Thuajse dy muaj pasi përfundoi pa ndjenja në spital, Marjana Pjetri nuk ka ende një përgjigje se çfarë i rrezikoi jetën. 40-vjeçarja i tha BIRN se mjekët u përpoqën ta bindnin se shkak ishte bërë anemia, por ajo këmbëngul se ishte e shëndetshme dhe fajëson për sëmundjen furnizimin e fabrikës me copë të re dhe me erë të rëndë. “Kishte ardhur furnizimi i ri dhe që një ditë më parë unë ndjehesha keq. Kam shkuar në shtëpi me të marra mendsh dhe vetëm pasi volla u qetësova,” kujtoi ajo. Pasi qëndroi në spital për një javë, mjekët i dhanë edhe një javë pushim. Por Pjetri nuk u kthye më në kapanonin e kompanisë “Lovers Albania”, pasi mësoi nga koleget e saj se drejtuesit e kompanisë fajësonin punonjëset e tyre për incidentin. Pas intoksikimit të punonjëseve të kompanisë në Shkozet, Prokuroria e Durrësit regjistroi procedimin penal me nr; 1013 për akuzën e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”. “Në funksion të hetimit të këtij procedimi janë kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë aktet e Ekspertimit Toksikologjiko-Ligjor për të gjitha rastet për të cilat është vendosur ekspertimi… Duke qënë se ky procedim është në hetim, për shkak të sekretit hetimor, nuk mund t’ju bëjmë me dije veprime konkrete të kryera,” thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Durrësit. Ky është rasti i dytë brenda një viti që Prokuroria ka regjistruar procedim penal për helmime masive në ndërmarrjet e fasonerisë, por pa ndëshkuar askënd. Më 31 maj 2017, në një fabrikë këpucësh të kompanisë “Merlika Group sh.p.k” në fshatin Budull të Fushë-Krujës, 22 kilometra larg Tiranës, punonjëset filluan të kishin marrje mendsh dhe mpirje të pjesëve të ndryshme të trupit. 17 gra përfunduan në spitalin rajonal të Fushë-Krujës dhe u kuruan për 9 ditë me radhë. Sipas dokumenteve të hetimit që BIRN i disponon, Mjekët konstatuan instoksikim të punonjëseve dhe humbje të përkohshme të aftësisë për punë. Por pas dy muajsh hetime, Prokuroria e Krujës vendosi mosfillimin e procedimit penal për drejtuesit e fabrikës. “Për të përcaktuar lëndët toksike në gjak është vendosur kryerja e ekspertimit toksikologjik duke marrë mostra gjaku nga shtetaset e dëmtuara. Ka rezultuar se mostra e gjakut është e papërshtatshme dhe e pamjaftueshme për t’iu nënshtruar ekzaminimit toksikologjik për të gjitha shtetaset e mësipërme,” thuhet në vendimin e pushimit të Prokurorisë, të firmosur nga prokurorja Mirela Kapo. Vendimi i Prokurorisë bazohet gjithashtu në një raport të inspektorëve të ISHP-së, të cilët konstatuan se ajri në fabrikë ishte brenda normave si dhe deklaratës noteriale të firmosur nga 13 gratë e dëmtuara, ku shkruhej se ato nuk kishin asnjë problem shëndetësor dhe asnjë pretendim ndaj kompanisë ku punonin. Prokurorja Kapo argumenton se “vepra penale e shkeljes së sigurisë në punë” nuk mbështetet nga konstatimi se “parametrat e ajrit ishin normalë”, ndërkohë që sipas saj, pasojë në kuptimin e nenit 289 të Kodit Penal është “vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit”. Shkelje të vazhdueshme të kushteve të sigurisë në punë si dhe protokolleve për shgmangien e aksidenteve janë evidentuar edhe në raportet e inspektimit për vitet 2015-2017. Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i tha BIRN se gjatë inspektimeve të kryera u konstatuan shkelje sa i përket masave të mbrojtjes kundër zjarrit, masave për shmangien e aksidenteve në punë apo për mungesën e masave mbrojtëse. Gjetjet e Inspektoriatit konfirmohen edhe nga punonjëset me të cilat BIRN foli. Nazmia, një 46 vjeçare e cila frikësohet dyfish për humbjen e punës për shkak të moshës së saj dhe problemeve të shpeshta shëndetësore rrëfen se në fabrikën ku ajo punon mungojnë maskat dhe masat e tjera mbrojtëse. “Gjithë ditën në mastiç, pa maska dhe pa asgjë. Unë jam me migrenë dhe mastiçi ma acaron gjendjen dhe më shkakton të vjella. I them shefes, sa të mbaroj punë dhe kthehem. Ndryshe më thonë po qe sëmurë shko në shtëpi,” tregon ajo. Shfrytëzimi modern Në vitin 2017, biznesi fason në Shqipëri eksportoi jashtë vendit produkte me vlerë 117 miliardë lekë-një rritje graduale kjo krahasuar me vitet paraardhëse. Rreth 78 për qind e produkteve prodhohen për Italinë, ndërkohë që Gjermania dhe Greqia, që zënë vendin e dytë dhe të tretë importojnë respektivisht 5 dhe 4.5 për qind. Ashtu si në sektorët e tjerë, marrëdhëniet në këtë biznes rregullohen nga Kodi i Punës. Por inpektimet e Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale tregojnë se rregullat mbeten në letër për një pjesë të operatorëve në treg. Në përgjigjen me shkrim për BIRN, Inspektoriati renditi një listë të gjatë të shkeljes së Kodit të Punës, sa i përket mungesës së ndriçimit, të ushqimit, instalimet sanitare, ndihmën e shpejtë, punë në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, mungesën e kompensimeve për këtë punë apo zgjidhje të pajustifikuara të kontratës së punës. Inspektoriati deklaroi megjithatë se mbi 99 për qind e punëmarrësve të fasonerisë kanë një kontratë të nënshkruar pune, ndërkohë që problem mbetet zbatimi i tyre. “Fenomeni më masiv i evidentuar janë punëmarrësit kursantë. Kategoria e të punësuarve kursantë, direkt nga kompanitë kishte më shumë problematika, për shkak të mosinformimit të tyre për marrëdhënien e punës,” tha Inspektoriati. “Ka problematikë për deklarimin e të punësuarve në organet tatimore si dhe pagesa e kontributeve bëhet me vonesë,” shtohet gjithashtu në përgjigje. Për shkeljet e konstatuara, Inspektoriati tha se kishte vendosur 23 gjoba gjatë vitit 2017 me një vlerë totale prej 4 742 000 lekësh. Megjithatë, këto ndërhyrje nuk duket se e kanë përmirësuar situatën në terren. Një studim i Institutit për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror tregon se statistikat ekonomike rriten mbi shfrytëzimin e punonjëseve të fasonerive, të cilat pranojnë kushtet e këqija të punës nga frika e flakjes në rrugë.
“Në fasoneri puna është më e rëndë, paguhet me keq dhe shfrytëzohet më shumë. Gratë janë më pak të arsimuara dhe nga zona rurale dhe pesha e traditës ka bërë që fati i keq të pranohet kollaj,” tha Arlind Qorri për BIRN, një nga autorët e këtij studimi.Qendra për të Drejtat në Punë, një tjetër organizatë që mbikëqyr gjendjen e ndërmarjeve të prodhimit fason në Vlorë denoncon gjithashtu shfrytëzimin që u bëhet punonjësve të fasonerisë. “Ekziston një frikë e madhe për të folur, pasi mendojnë se po të reagojnë do kenë presione deri në largim nga puna,” tha përfaqësuesi i kësaj qendre, Edison Hoxha. Humbja e vendit të punës i përndoqi punonjëset e kontaktuara nga BIRN, të cilat lanë takime larg fabrikave dhe lagjeve ku ato banojnë, nga frika se dikush mund t’i shihte. Njësoj si Vera, edhe punonjëset e tjera u ankuan për rritje të vazhdueshme të normës, për mungesën e higjienës apo për presionin e vazhdueshëm të drejtuesve të fabrikave, ndërkohë që ato nuk e kanë luksin e humbjes së punës.
“Në fabrikë janë 1700 punëtorë dhe është vetëm një plakë që e pastron. As nuk lahen me ujë të rrjedhshëm e as nuk disinfektohen,”tha Vera për BIRN.Ndërsa Nazmia*, 46 vjeç, një tjetër punonjëse e një kompanie në rrethinat e Tiranës i tha BIRN se është detyruar të mbyllë gojën ndaj sharjeve, pasi ka frikë se nuk e merr kush në punë për shkak të moshës.
“Për një gabim më të vogël, të bësh pak pis këpucën me mastiç të shajnë, të ofendojnë… Për mua është e vështirë se nuk më merr një njeri tjetër në këtë moshë që jam. Sa të shohin më thonë ik te shpia,” tha ajo.Florian Zekja, anëtar i një shoqate që nuk funksionon më mohon shumicën e ankesave dhe këmbëngul se ka mungesë informacioni për të pasqyruar realitetin e vërtetë në këtë sektor. “ Në Shqipëri ka 400 biznese të tilla dhe ti etiketosh të gjithë është shumë rëndë. Në këtë sektor punojnë 100 e ca mijë veta dhe mund të pyesësh ata se si pranojnë të shfrytëzohen dhe vazhdojnë të punojnë,” shtroi ai për BIRN. Por Enkelejda, 33 vjeç, e cila punon në një rrobaqepësi në Durrës e ka një përgjigje për këtë konstatim. Ajo u detyrua të kërkojë punë në fasoneri në një kohë kur burri ishte pa punë dhe duhej të kujdesej që fëmijët të shkonin në shkollë. “Ajo që ne kërkojmë nuk është luks, por gjëra normale. Norma e punës të mos jetë kaq e lartë, të kemi ajrim, të mos na ofendojnë dhe të punojmë të qeta,” përfundoi ajo për BIRN. *Emrat e punonjëseve të fasonerisë janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin e tyre. LINDITA ÇELA / BIRN, REPORTER.AL