AKTUALITET, 2 Prill 2018, 11:30

U transferuan nga Kukësi në Tiranë pasi nuk kishte kapacitete, ja ku ndodhen të arrestuarit

Shumë qytetarë janë mbledhur sot përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku kërkojnë lirimin e të arrestuarve nga Kukësi. Kjo pas protestës që bënë dy ditë më parë kundër tarifës për rrugën e Kombit.

Ndërkaq, 23 të arrestuarit janë zhvendosur në Tiranë, pasi policia e Kukësit nuk ka kapacitete për kaq persona të ndaluar. Kjo ka sjellë dhe vijimin e protestës përpara kësaj drejtorie.

23 personat e arrestuar nuk ndodhen të gjithë në ambientet e Drejtorisë së Policisë, por janë ndarë në disa komisariate.

Kështu, mësohet se 12 protestues janë te Drejtoria e Policisë së Tiranës, 4 protestues të ndaluar në Komisariatin nr. 3, tre protestues janë në Komisariatin nr. 1, ndërsa 4 të tjerë në Komisariatin nr. 2.

Policia paraditen e sotme i zhvendosi protestuesit që qëndronin përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë nga trotuari në rrugë.

Kjo është bërë shkak për bllokimin e qarkullimit normal të makinave. Ata vijojnë të qëndrojnë aty duke kërkuar lirimin e të arrestuarve, ndërsa i janë bashkuar dhe deputetë të opozitës.