AKTUALITET, 2 Prill 2018, 10:32

Pas zhvendosjes nga trotuari, protestuesit bllokojnë lëvizjen e makinave, deputeti i PD flet për provokim

Policia paraditen e sotme ka zhvendosur protestuesit që qëndronin përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë nga trotuari në rrugë.

Kjo është bërë shkak për bllokimin e qarkullimit normal të makinave. Fillimisht protestuesit qëndruan në trotuar, por policia ka kërkuar zhvendosjen, me justifikimin se bllokojnë kalimin e qytetarëve të tjerë.

Deputeti i PD flet për provokime: Po na kërkojnë…

Protestuesve që qëndrojnë te Drejtoria e Policisë së Tiranës iu bashkuan sërish sot edhe deputetë të PD.

Klevis Balliu tha se të ndaluarit nuk e kanë shkelur ligjin.

“Ka qenë një tubim i qytetarëve të Kukësit për një interes kombëtar. Kjo parti ka një problem historik me Rrugën e Kombit, sot vazhdojnë me trashëgiminë e tyre komuniste për të bllokuar rugën që është për bashkëpunimin e shqiptarëve me kosovarët. Këto arrestime janë arrestime politike të një mentaliteti komunist. Ky është i vetmi kryeministër që rrogat i jep me lekë dhe i takson me euro”.

Sipas Balliu, “Unë kam qenë vetë në Kukës dhe ka pasur provokime nga policia e Shtetit në Kukës, sic po kërkon edhe këtu të bëjmë një hap prapa”.

Të ndaluarit e protestës në Rrugën e Kombit, ç’do bëjnë deputetët e PD sot

Disa nga 23 protestuesit e arrestuar në Kukës janë transportuar në kryeqytet, duke u izoluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e në disa prej Komisariateve.

protesta kunder tarifes

Pas transportimit të qytetarëve të arrestuar nga Kukësi në Tiranë mbrëmjen e djeshme, familjarët, por edhe qytetarë të ndryshëm të kryeqytetit kanë nisur një tubim rreth orës 19:00, duke protestuar para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Familjarët dhe qytetarët kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve nga Policia.

Disa prej protestuesve janë futur në korridoret e Drejtorisë së Policisë, duke sjellë edhe një lloj tensionimi të situatës.