AKTUALITET, 14 July 2026, 18:52

Polemika për pajisjet mjekësore në QSUT, Shalsi: Lista e donacioneve ishte procedurë ligjore, nevojat janë plotësuar

15.jpg

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) kishte publikuar prej disa muajsh një listë me pajisje mjekësore të kërkuara në formë donacioni për spitalet.

Në listën e publikuar përfshiheshin pajisje si respiratorë, laringoskopë, defibrilatorë, monitorë pacienti për matje invazive, elektrobisturi dhe shiringa elektrike.

Publikimi i kësaj liste u shpërnda në rrjetet sociale dhe u bë pjesë e akuzave të protestuesve për mungesë investimesh në sektorin e shëndetësisë nga qeveria.

Pas reagimeve të shumta, lista nuk është më e aksesueshme në faqen zyrtare të QSUT-së.

Për këtë çështje ka reaguar nënkryetari i Komisionit për Shëndetësinë, Eduard Shalsi, i cili sqaroi se publikimi i nevojave për pajisje në platformën e donacioneve të QSUT-së është një procedurë e rregullt dhe e detyrueshme me ligj, që synon transparencën dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurisë publike.

Sipas Shalsit, identifikimi i nevojave kalon përmes një procesi institucional mes QSUT-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike.

Ai theksoi se njoftimi ishte publikuar që në muajin shkurt dhe se aktualisht të gjitha nevojat e listuara janë plotësuar.

“Është një procedurë që ka qenë atje, është vendosur njoftimi në shkurt, bëhet në mënyrë të rregullt. Sot që flasim të gjitha ato nevoja janë plotësuar, sepse shpallen dhe më pas mund të prokurohen. Nëse dikush ofron, hiqet nga prokurimi”, u shpreh Shalsi.

Ai shtoi se platforma e donacioneve mund të përmirësohet më tej, por sipas tij debati duhet të përqendrohet te mënyrat për të rritur cilësinë e sistemit shëndetësor.