AKTUALITET, 21 Janar 2019, 17:10

Plagoset me armë bariu në Sarandë, dyshimet e policisë (Emri)

Plagoset me armë bariu në Sarandë, dyshimet e policisë

Një bari është plagosur me armë zjarri në Piqeras të Sarandës. I plagosuri është Level Hoxha 60 vjeç, me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës, por prej vitesh banor në Piqeras dhe bari me bagëti të imta në këtë fshat.

Ai është transportuar mesditën e së hënës për në spitalin e Sarandës pas dy plagëve të shkaktuara me armë zjarri, një në kofshë e tjetri në krah.

Pas ndihmës së parë për shkak se plumbi dyshohet të ketë prekur kockën, bluzat e bardha të Sarandës bënë transportimin e tij drejt spitalit të traumës në Tiranë.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të identifikuar autorin dhe përcaktuar shkakun e kësaj ngjarjeje.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se ngjarja dyshohet se ka lidhje me një konflikt barinjsh për kullotat në zonë.

Bariu 60-vjecar mësohet të ketë thënë pas plagosjes se: “Nuk pashë se kush më qëlloi. M’u duk se ishte plumb qorr. Nuk kam konflikt me asnjë”.