AKTUALITET, 16 Prill 2019, 15:20

Pezullimi i vizave/ Parlamenti holandez voton sot propozimin e pesë partive (Dokumenti i plotë)


Parlamenti holandez voton sot propozimin e 5 partive anëtare për pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në këtë shtet.

Pas diskutimeve të shumta, duke vënë në dukje se:

ka pasur një rritje të ndjeshme të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në Holandë; ndërsa këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës, i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent të lëvizjes pa viza për Shqipërinë“, thuhet në njoftimin zyrtar të Parlamentit holandez.

Bëhet e ditur se meqenëse Holanda është pjesë e zonës Schengen, ata duhet të bëjnë një pezullim të vizave në konsensus. Nëse aprovohet ky votim, atëherë Holanda do të kërkojë të përdoret “frenimi i emergjencës” e lejueshme të përdoret kur cenohet siguria e një shteti nga një shtet i caktuar.

5 parti kanë kërkuar votim sot (VVD, CDA, PVV, SP, CU) të cilat kanë bashkë 92 deputetë (nga 150), por mund t’i bashkohen dhe parti të tjera.

Ajo çka është më interesante në zhvillimet në Parlamentin e Holandës është fakti që nëse votohet pro këtij propozimi, pra mbështetet nga 3 partitë qeverisëse, integrimi i Shqipërisë në BE është shumë i largët, duke përfshirë dhe çeljen e negociatave me BE-në në këtë qershor.