AKTUALITET, 16 Prill 2019, 13:25

Akuzohet për trafik droge, Saimir Tahiri do të përballet me drejtësinë më 19 qershor

Akuzohet për trafik droge, Saimir Tahiri do të përballet me


Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të dalë në seancën e parë gjyqësorë në Gjykatën e Krimeve të Rënda më 19 qershor 2019.

Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka janë 3 gjyqtarët që kanë në dorë gjykimin e çështjes Tahiri.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzohet për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në seancën e fundit ku u vendos se Tahiri do merrej si i pandehur, ish-ministri kërkoi që çështja e tij të kalojë me gjykim i shkurtuar.

Ai akuzohet se ka kryer veprat penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’ parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4/ dhe 333/a/2 të Kodit Penal.

Në maj të vitit 2018 Tahiri dorëzoi dhe mandatin e deputetit dhe u vu në dispozicion të drejtësisë. Pas kësaj organi i akuzës kërkoi sërish arrestimin e tij, por Gjykata vendosi që ta linte vetëm në masën “arrest shtëpie”.

Prokuroria ka kërkuar disa herë arrestimin e tij, por Gjykata nuk ka pranuar pasi nuk ka qenë e bindur nga provat e dorëzuara.