TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në burg ish komandon Erzen Uka, i arrestuar për nxitje terroriste
Prokurori i çështjes, Eugen Beci, kërkoi arrest me burg, ndërsa Uka nuk ka pranuar të ngrihet në këmbë para trupit gjykues, duke thënë se respekton vetëm Allahun.
Ai kërcënoi gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Beci, duke u thënë: Sa të dalë do të jepnin llogari dhe nuk do kalonte kollaj.
Uka akuzohet për 3 vepra penale, stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste, nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa gjykata u tërhoq për vendim.
I riu nga Gjormi i Krujës, që më herët ka qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan gjatë vitit 2011, aktualisht ishte i papunë.
Prej vitesh ai ishte pikasur si person që shfaqte prirje radikale, ndërsa dy vitet e fundit po hetohej për çështje terrorizmi. I arrestuari, aktualisht ishte i divorcuar, ndërsa, sipas Policisë, pasi e shoqja e kishte denoncuar për dhunë në familje dhe më pas ishte ndarë me të, ai nuk e kishte lejuar që dy djemtë e tij t’i mbante e ëma, edhe pse Gjykata kishte urdhëruar dhënien e kujdestarisë të ëmës.
Përmbarimi kishte tentuar ta zgjidhte këtë çështje për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës, por kjo gjë nuk është realizuar, çka ka sjellë hetimin e tij, edhe për pengim të vendimit të Gjykatës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se pas kontrolleve në banesën e tij u sekuestruan fishekë luftarakë, ndërsa gjatë masës së sigurisë, që do të mbahet të martën, do të referohen si prova edhe mbikëqyrjet e herëpashershme në rrjetet sociale.
