TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Edi Rama dhe Lulzim Basha, janë përplasur sërish pas denoncimit të kryetarit të opozitës, se Milva Ikonomi do vendoset nga kryeministri kryetare e Bashkisë së Durrësit për të firmosur kontratën e inceneratorëve.
Basha tha se si fillim plani është dorëheqja e Milva Ikonomit si deputete.
“… të komandohet nënkryetare, të ikë kjo nënkryetarja e 3, 4 apo 5-të atje dhe të firmosi shkresën për të çuar të paktën 100 milionë inceneratorëve. Gjithçka tek Edi Rama është e lidhur me paratë që iu grabitën shqiptarëve dhe iu shkojnë oligarkëve, në veçanti afera e tmerrshme e inceneratorëve të plehrave” – u shpreh Basha.
Pasi lajmi bëri xhiron e mediave. Edi Rama reagoi në Twitter, duke sulmuar Sali Berishën, vetë Bashën dhe Partinë Demokratike.
“Lulëzim, unë e di që Partia Demokratike ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, jo vetëm sepse një mbeturinë të komunizmit dhe një rrëmujaxhi patologjik e ka lider prej 30 vjetësh, po edhe sepse kurdo e kudo ka qeverisur plehrat i ka pasur male krenare!
Por do ti s’do ti, doni ju s’doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më!
Prandaj Lulëzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë, akuzuar, shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill!” – u shpreh Rama.
Basha nuk vonoi të reagojë po në këtë platformë. Ai i bën thirrje kryeminsitrit të lërë gënjeshtrat por të zbatojë planin me 5 pika.
“75 milionë euro për mafian e plehrave ka paguar Edi Rama, nga lekët e shqiptarëve. Asnjë kacidhe për 100 mijë të papunë, për pensionistët, për mjekët dhe infermierët, për sipërmarrjen drejt kolapsit.Boll me vjedhje e me kakarisje gënjeshtrash dalë boje. Zbato planin me 5 pika! Tani!” – u shpreh Lulzim Basha.